Tre muaj pa rroga dhe të bllokuar nga të gjitha anët. Kështu është gjendja e dy ndërmarrjeve komunale NPK Tetova dhe NP “Parkingu i Qytetit”. Përveç që pa rroga të punësuarit nuk kanë as sigurim shëndetësor. Këto dy ndërmarrje nuk po mund të funksionojnë për shkak borxhit i cili dita ditës po vazhdon të rritet.

Edhe pse të punësuarit e NPK Tetova edhe të NP Parkingu i Qytetit po punojnë në kushte të vështira atmosferike, rrogat e tyre akoma nuk i kanë marrë me muaj të tërë
Për shkak borxhit, llogaria e NP “Parkingu i Qytetit” është e bllokuar, ndërsa llogaria e NPK Tetova herë bllokohet e herë debllokohet.

“Momentalisht xhirollogaria e NPK Tetova nuk është e bllokuar. Po ashtu kjo ndërmarrje po bën përpjekje maksimale që kjo ndërmarrje të fillojë të funksionojë siç duhet, pasi udhëheqësit e kaluar e kanë katandisur në një gjendje të mjerueshme. Ndërkaq tek Parkingjet, situata paraqitet pak më ndryshme. Kjo ndërmarrje xhirollogarinë e ka të bllokuar, po ashtu të punësuarit janë dy muaj pa pagesë mujore. Bëhet fjalë për muajt tetor dhe nëntor”, thonë nga Komuna e Tetovës.

Pyetëm edhe në Drejtorinë për të Ardhura Publike se pse këto llogari nuk kanë bllokuar edhe më herët, por deri më tani nuk kemi marr asnjë përgjigje. NPK Tetova ka borxh 9.7 milionë euro, ndërsa NP Parkingu i Qytetit 187 mijë euro.