Edicioni i parë i Festivalit Teatror “Othello” që u zhvillua në qytetin e Gostivarit, mbrëmë e pati natën e pestë dhe të fundit, në të cilën u dhanë edhe çmimet për shfaqjet pjesëmarrëse të pesë netëve me radhë, në të cilat morën pjesë trupa teatrore nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia.

Ndër shfaqjet që triumfoi me dy çmime, siç njofton Portalb.mk, ishte ajo e Teatrit Shqiptar të Shkupit, “Darka e Thërrimeve” e autorit Refet Abazi ndërsa me regji të Qëndrim Rijanit.

Për “Darkën e thërrimeve”, aktorë të së cilës janë Luran Ahmeti dhe Amernis Nokshiqi nga juria në përbërjet të së cilës ishin Sulejman Rushiti, Muzafer Etemi dhe Ismet Ramadani u ndanë çmimi “shfaqja më e mirë” dhe “aktorja më e mirë”.

Pas marrjes së çmimit “shfaqja më e mirë”, regjisori i “Darkës së thërrimeve”, Qëndrim Rijani falënderoi publikun duke vlerësuar se Festivali “Othello” të jetë rrënjë e themelimit të një teatri në Gostivar.

“Faleminderit publikut sepse është një kënaqësi. Vërtetë festivali është rrënja e hapjes së një teatri në Gostivar. Është kënaqësi e madhe që kemi këtë çmim në dorë dhe i cili mban vulën e Teatrit Shqiptar që në vazhdimësi shkon duke u bërë më i mirë, ka vulën e Amernisit dhe Luranit e tërë stafit që punuam në shfaqjen “Darka e thërrimeve”. Shpresoj që vitin e ardhshëm të shihemi në një institucion, teatër të mirëfilltë”, tha Rijani.

Shfaqja “Një jetë me ty” në regji të Erion Krame mori çmimin “aktori më i mirë” me aktorin Romir Zalla.
Ndërkaq regjisori i shfaqjes “Psikozë n’4: 48” e autores Sarah Kane, Fatos Berisha mori çmimin ‘regjisori më i mirë’.

Ndërkaq anëtari i jurisë, Sulejman Rushiti u shpreh se niveli i prurjeve teatrore sa vjen dhe ngritet duke vlerësuar punën profesionale të trupave.
“Festivali Othello përfundoi sonte. Sa keq, sepse u mësuam çdo mbrëmje të shohim shfaqje të mrekullueshme. Është kënaqësi kur sheh se niveli i prurjeve teatrore sa vjen e ngritet. Respekt për punën profesionale të trupave. Respekt i veçantë për spektatorin e kultivuar i cili dhuronte energji pozitive. Unë, jam ndjerë sinqerisht shumë mirë kur artistët thoshin se një pritje e tillë e ngrohtë nga spektatori është e rrallë”, tha Rushiti.

Ndërkaq organizatori i Festivali “Othello”, Berat Saliu për Portalb.mk tha se edicionin e parë e vlerëson si të suksesshëm dhe kjo falë interesimit të madh të publikut i cili dëshmoi se ka nevojë për një teatër në Gostivar.
“Për edicionin e parë ne jemi shumë të kënaqur pasi kemi pasur mbështetje shumë të madhe nga publiku dhe artistët vendas të zhanreve të ndryshme siç janë : dizajner, grafistë dhe skulptor. Sigurisht që ne këtë festival që kur e kemi nisur qëllimi ka qenë që të jetë tradicional dhe internacional dhe për këtë ne veç më kemi dorëzuar aplikacionin në Ministrinë e Kulturës për edicionin e dytë. Edhe kryetari i komunës na ka premtuar për mbështetje dhe shpresojmë që ky festival të merë përmasa botërore”, tha Saliu.

Nga pesë ditë sa zgjati edicioni i parë i Festivalit Teatror “Othello”, publiku artdashës i Gostivarit, me praninë e madhe të tyre gjatë tre netëve të para shprehu edhe njëherë kërkesën “se duan teatër në Gostivar”.
Në garë ishin shfaqja “Një jetë me ty” e Teatrit “Aleksandër Moisiu” nga Durrësi, drama “Psikozë N’4: 48” e Teatrit “Adriana Abdullahu” nga Ferizaji, shfaqja “Darka e thërrimeve” e Teatrit Shqiptar të Shkupit, shfaqja “Copë Copë” e Teatrit Artpolis nga Prishtina dhe shfaqja “Mësimi” e Teatrit të Kumanovës.