Autoritetet austriake nisën hetimin ndaj fituesit të çmimit Novel në Letër, shkrimtarit Peter Handke, për të zbuluar nëse ai ka humbur apo jo shtetësinë e Austrisë, pasi kishte dyshime të forta se shkrimtari ka pranuar shtetësinë e ish-Jugosllavisë në vitin 1999. Në lidhje me këtë, ka reaguar shkrimtari Handke, i cili ka mohuar të ketë shtetësi jugosllave.

“Nuk kam shtetësi jugosllave. Kam marrë vetëm pasaportën e udhëtimit”, citohet të ketë thënë Handke, shkruan “Novosti”. Ndërsa më tej, Handke pyet “Kush e thotë këtë?”, teksa po përgatit fjalimin që do të lexojë në eventin që do të mbahet më 10 dhjetor në Stokholm për çmimin Nobel.

Ndërkohë, nëse rezulton e vërtetë që shkrimtari austriak ka marrë shtetësinë jugosllave në vitin 1999, ai do të humbte automatikisht shtetësinë austriake.

Dhënia e çmimit Nobel shkrimtarit Peter Handke ngjalli revoltë te shqiptarët, por dhe reagime të ashpra në rang botëror, për shkak të deklaratave të tij anti-shqiptare, dhe që nxisnin luftën, por edhe për faktin se ai kishte qenë një mbështetës i ish-liderit të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç.