Qeveria e Holandës e ka pëlqimin e parlamentit në Hagë për të miratuar fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian. Ndërsa sa i përket Shqipërisë qëndrimi nuk është i prerë dhe lë hapësirë që Qeveria të pajtohet me ndonjë vendim të kushtëzuar sa i përket bisedimeve. Kjo është përshtypja e debatit të mbrëmshëm në Komisionin për çështje Evropiane të parlamentit holandez. Deputeti Ane Mulder nga partia e kryeministrit holandez Mark Rute, gjatë debatit konstatoi se në Maqedoninë e Veriut nuk është miratuar ligji i ri për Prokurorinë dhe e pyeti ministrin e Jashtëm Stef Blok nëse qeveria holandeze heq dorë nga miratimi i këtij ligji si kusht për mbështetjen e nisjes së bisedimeve. Blok u përgjigj se Ligji i ri për Prokurorinë nuk është miratuar për shkak se nevojiten dy të tretat e votave në parlamentin në Shkup që do të thotë edhe mbështetje e opozitës. Megjithatë sipas tij për të gjitha lëndët e Speciales do të kujdeset Prokuroria Publike.

Vazhdimi i rasteve të PSP-së është siguruar me transferimin e tyre në Prokurorinë Publike. Hap i rëndësishëm që duhet të ndërmerret është miratimi i ligjit që do të garantojë ndjekje të pavarur të korrupsionit të mundshëm në të ardhmen në nivelin më të lartë”-tha Stef Blok, Ministër i jashtëm i Holandës

Vendimi i komisionit holandez edhe pse nuk është obligues për qeverinë, megjithatë konsiderohet si tejet i rëndësishëm në aspektin politik sidomos gjatë pozicionimit të Holandës para takimit të BE-së në 15 tetor në Luksemburg. Ndërkohë ndarja eventuale e Tiranës nga Shkupi për fillim të negociatave me BE-në, ka ngjallur reagim të diplomatëve të shteteve anëtare të BE-së. Sipas Ministrit alternativ për punë të jashtme të Greqisë, Militiadis Varviciotis, fillimi i negociatave vetëm me një vend mund të sjellë përshkallëzim.

Për shkak se elementi shqiptar është i pranishëm në të gjithë rajonin, ndarja dhe fillimi i negociatave vetëm me një vend kandidat, mund që në vend të thellimit të stabilitetit, të shkaktojë ndarje në kufirin tone verior. Andaj vendi jonë mendon se duhet njëkohësisht të merret vendim për fillim të negociatave për të dyja vendet”-pohoi Miltiadis Varviciotis, ministër Alternativ për punë të jashtme i Greqisë.

Në prag të takimit të javës së ardhshëm në Luksemburg mediat e huaja raportojnë se tejet rëndësishëm është roli i kancelares gjermane Angela Merkel, e cila do të mund të ndikojë tek presidenti francez, Emanuel Makron, për të mbështetur Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Edhe disa vende bëjnë rezistencë numri më i madh i vendeve të BE-së kërkojnë hapjen e bisedimeve me dy vendet, duke e arsyetuar këtë me nevojën për zmbrapsja e ndikimit rus, kinez dhe turk në rajon./Alsat