Avokati i Popullit i Maqedonisë me mbështetjen e CRONSEE – Rrjetit të ombudsmanëve për fëmijë dhe organizatës “Save the Children”, sot dhe nesër në Shkup, organizon takim tematik për “Rolin e ombudsmanit në mbrojtjen e fëmijëve refugjatë/emigrantë”.

Takimin do ta hapin Avokati i Popullit, Ixhet Memeti dhe drejtori i programit “Save the Children” Ballkani Veriperëndimor, Ahmed Pjano.

Për gjendjen e fëmijëve refugjatë/emigrantë pa shoqërues do të flasin zëvendësavokatja e popullit Vaska Bajramovska-Mustafa, përfaqësuesi i Qendrës për menaxhim me kriza Dushko Petrovski, si dhe këshilltarja për mosdiskriminim dhe luftë kundër tregtisë me njerëz në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, Svetllana Cvetkovska.

Për gjendjen me fëmijët refugjatë/emigrantë prezentime do të kenë përfaqësues të ombudsmanit zyrat e Shqipërisë, Kroacisë, Greqisë, Malit të Zi, Serbisë, Rumanisë, Sllovenisë, Bullgarisë, Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës.