Sherife Luta, bashkë me vajzën e saj disa javëshe Besianën, gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë, u bënë fotografia që më së miri i tregonte botës vuajtjet e shqiptarëve që dëboheshin nga Kosova.

Tash 22 vite më vonë, ato u përjetësuan në mozaik, në të ashtuquajturin “Muri i kujtesës” në Qendrën Përkujtimore “Bllaca ‘99”, ku u përurua edhe parku “Hasan Prishtina”.

Kryetar i Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur, Jahja Lluka theksoi se kriza humanitare që u shkaktua në Kosovë ndikoi që bashkësia ndërkombëtare të ndërhyjë në krye me NATO-n, duke shpëtuar një popull të tërë nga shfarosja.

“Në këtë mur janë të gravuara thënie e liderëve botërorë për dëbimin e shqiptarëve. Është mozaiku i nënës shqiptare me fëmijën në gji, i cili paraqet që në momentet më të vështira nëna shqiptare e ka ushqyer fëmijën sepse nëna shqiptare është shtylla kryesore e qëndresës sonë, prandaj faleminderit nënë….”, u shpreh Jahja Lluka, kryetar i Shoqatës për kthimin e shqiptarëve të shpërngulur.

Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore në Shkup, Skender Asani, tha se para 22 viteve, në vend të përrallave të vjetra sllave që kishin përvetësuar sallonet diplomatike të Evropës së shekullit 19, komuniteti ndërkombëtar, i udhëhequr nga SHBA, NATO dhe BE, për herë të parë po rivendoste një drejtësi të munguar në favor të shqiptarëve.

“Muri i Kujtesës dhe Parku “Hasan Prishtina”, e mbushin këtë hapësirë me dy nocione më domethënëse sociologjike e politike. Kemi dimensionin e sakrificës dhe flijimit popullor e portretizuar në fytyrën e një gruaje e cila duke u bërë objekt i një fotografie që bëri xhiron e botës, në fakt ajo po e ndërkombëtarizonte dimensionin e vuajtjes kolektive të shqiptarëve, si pasojë e trajtave më çoroditëse të spastrimit etnik që atë botë Serbia po e zbatonte me zell të pakursyer”, deklaroi Asani.

Kryetari i Hanit të Elezit, Rufki Suma, kërkoi nga institucionet e Kosovës që të ngritet padi ndaj Serbisë.

“Deri sa ne pushojmë, i vjen radha të tjerëve, kriminelëve që ata sot ngritin padi dhe në vend se çlirimtarët të jenë me ne e të festojnë këtu ku jemi ne, ata po përballen me drejtësi ndërkombëtare në Tribunalin e Hagës dhe po dalin para drejtësisë për tu akuzuar kinse ata kanë bërë krime kur e gjithë bota demokratike e di fare mirë se krime ka bërë Serbia e jo Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, tha Suma.

Mozaiku është vepër autoriale e piktorëve Festim Kabashi dhe Luan Tashi.