Deklarata e përbashkët e Hahn: Respektoni rezultatet e zgjedhjeve

Eurokomisioneri Johannes Hahn së bashku me tre eurodeputetët Eduard Kukan, Knut Fleckenstein dhe Ivo Vajgl, zhvilluan gjatë ditës së djeshme disa takime të njëpasnjëshme me përfaqësues të subjekteve politike në Maqedoni, të cilat dolën fituese pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit të vitit të kaluar.

Ata kanë dalë mbrëmë me një deklaratë të përbashkët, ku kërkojnë nga liderët që t’i respektojnë rezultatet e zgjedhjeve dhe të pranojnë shumicën parlamentare të krijuar pas zgjedhjeve të dhjetorit.

“Ne u takuam sot me përfaqësuesit e partive parlamentare dhe ju përsëritëm shumë qartë të gjithë liderëve të vendit, përfshirë edhe presidentin, se tani duhet të respektojnë rezultatin e zgjedhjeve të fundit. Në demokraci, të gjithë duhet të pranojnë shumicën parlamentare.

Prandaj, ne inkurajojmë Presidentin të rishqyrtojë pozicionin e tij urgjentisht. Nuk ka kohë për të humbur.

Ne tani presim që të gjithë liderët dhe institucionet politike që të lejojnë proceset demokratike të drejtohen në kursin e tyre – në interes të qytetarëve të vendit. Vonesat e muajve të fundit tashmë kanë dëmtuar ekonominë e vendit.

Ne presim që shpejtë të formohet një qeveri e re e cila do t’i zbatojë reformat e vonuara, dhe nga kjo qeveri ne presim që të vazhdojë me zbatimin e marrëveshjes së Përzhinos.

Në veçanti, ne nxisim të gjithë të përmbahen nga veprimet dhe deklaratat që mund të ndezin tensione ndëretnike apo të dëmtojnë marrëdhëniet e mira fqinjësore.

Askush nuk duhet të joshet për të luajtur me zjarr. Ne jemi thellësisht të shqetësuar për tensionet dhe gjuhës së urrejtjes. Liria e tubimit dhe liria e shprehjes janë të drejta themelore në shoqëritë demokratike, por ata vijnë me përgjegjësi.

Po ashtu ne dënojmë retorikën negative, që kanë në shënjestër komunitetin ndërkombëtarë dhe shoqërinë civile, e cila është plotësisht kundërproduktive. Ajo dëmton imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare, dhe kredibilitetin e atyre që e përdorin atë.

Në përfundim, ne duhet të shohim në ditët e ardhshme shtetarë serioz dhe të përgjegjshëm nga institucionet përkatëse, për të mundësuar një formacion të shpejtë të një koalicioni të ri dhe solid qeverisës.

Kjo është e vetmja mënyrë për të marrë vendi përsëri rrugën e BE-së e cila është ajo që qytetarët tuaj e duan dhe e meritojnë.” thuhet në deklaratën e përbashët të eurokomesarit për zgjerim dhe fqinjësi të mire, Johannes Hahn dhe eurodeputetëve Eduard Kukan, Knut Fleckenstein dhe Ivo Vajgl.