“Obamacare” vdiq! Donald Trump nuk e përmbajti dot veten pas triumfit në Dhomën e Përfaqësuesve, ku mori “dritën jeshile” projektligji republikan për Kujdesin Shëndetësor.

“Kalova dy vite fushate duke u marrë me këtë çështje dhe po ju them se, sido që të ketë shkuar, njerëzit po vuajnë shumë nga rrënimi që solli ‘Obamacare’. Do ta kalojmë këtë nismë edhe në Senat, kam bindje të plotë për këtë”, tha Trump.

“Ky është një plan i jashtëzakonshëm dhe mendoj se do të bëhet edhe më mirë. Mos krijoni ide të gabuara, ai do ta shfuqizojë e do ta zëvendësojë Obamacare”, tha më tej Trump.

Dhoma e Përfaqësuesve e aprovoi me një rezultat të ngushtë, 217 vota pro dhe 213 kundër, projektligjin republikan që rrëzon disa klauzola e zëvendëson disa të tjera nga Akti i Kujdesit të Përballueshëm Shëndetësor, të miratuar gjatë administratës “Obama”.

Gjashtë javë pasi tentativa e parë dështoi, ligjvënësit patën një debat maratonë për të shtuar në draft shumën e 8 miliardë dollarëve, e cila do t’i ndihmojë pacientët me probleme shëndetësore ekzistuese që të mos i humbasin sigurimet e tyre.

Pas diskutimeve me Trump në Shtëpinë e Bardhë, dy republikanë të moderuar me peshë në Dhomën e Përfaqësuesve, Fred Upton dhe Billy Long ndërruan mendje dhe vendosën të mbështesin qëndrimin e partisë së tyre për të ndryshuar “Obamacare”.

Ndryshimet tani duhet të votohen edhe në Senat, ku fati i propozimit mbetet i paqartë