Zv/presidenti i SHBA Mike Pence konfirmoi marrëdhënien e ngushtë me Korenë e Jugut, duke deklaruar se aleanca mes dy vendeve më e fortë se kurrë.

Fjalët e Pence erdhën gjatë një vizite të tij në trupat amerikane të vendosura në Korenë e Jugut dhe menjëherë pasi Koreja e Veriut kërcënoi duke lëshuar një raketë testuese.

Pence: Në të gjithë botën kjo është një kohë sfidash, por vecanërisht në zonën e Azisë lindore. Dua t’iu siguroj edhe në emrin e presidentit Trump se aleanca jonë me Korenë e Jugut nuk ka qenë asnjëherë më e fortë se sa tani, dhe jemi të vendosur për ta përforcuar edhe më shumë.

Mike Pence po viziton Korenë e Jugut që është edhe ndalesa e parë e tij në një udhëtim të programuar në Azi. Ndërkohë Koreja e Veriut deklaroi se nuk i frikësohet aspak luftës pas rritjes së tensioneve mes dy Koreve dhe afrimin e aeroplan-mbajtëseve amerikane me bregdetin e Koresë së veriut.

Për sa i përket raketës testuese të Koresë së Veriut, komanda amerikane në zonën e paqësorit-aziatik konfirmoi se ajo shpërtheu menjëherë pas lëshimit, pak orë përpara se zv/presidenti i SHBA Mike Pence të mbërrinte në Korenë e Jugut, ku në qendër të bisedimeve është kërcënimi me anë të programit të zhvillimit të armëve nga ana e Koresë së Veriut.

Sakaq “Sunday Times” shkruan se Donald Trump është gati të godasë komplekset bërthamore të Koresë së Veriut, duke cituar këshilltarë të ngushtë ushtarakë të presidentit amerikan. Sipas këtyre burimeve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë fuqi të neutralizojë programin bërthamor  të vendit komunist, e mund të ndërmarrë edhe ndonjë sulm paraprak.