Keqtrajtimet gjatë rrugës dhe presioni psiqik po na bëhet me qëllim që të pranojmë diçka që se kemi bërë. Aktakuza është qesharake, për shumë arsye. Në aktakuzë unë dhe Sami Ukshini jemi si organizatorë, por kjo s’ka të bëje me të vërtetën. As unë as Samiu nuk jemi organizatorë. Organizatorët e vërtetë i vranë dhe Prokurorisë tani i duhen organizatorë. Unë përgjigjen me kokën time, në raste se vërtetohet se këta janë grupi i logjistikës. Në shtëpi ju kemi hyrë me zorë. Kështu është shprehur njëri prej të akuzuarve në rastin e ngjarjeve më 9 dhe 10 maj, Andi Krasniqi, i njohur në opinion me nofkën Malisheva, raporton Portalb.
Edhe Dem Shehu, i akuzuar, ka thënë se aktakuza s’ka të bëje me realitetin. Ai tha se gjithcka është skenar, dhe ky skenar, sipas tij ka arkitekt.
“Ju nuk po na jepni rastin të flasim. Asaj tragjedie përveç arkitektët t askush tjetër nuk i është gëzuar. Aty nuk kishte ndërmjetësim. Me termin terrorizëm po na ndaloni të flasim të vërtetën. Do të detyrohem ta bojkotoj seancën gjyqësore”, tha Shehu.
I akuzuari tjetër Sevdail Miftari pyeti se pse në aktakuzë nuk qëndrojnë edhe bisedat me Nimetullah Abdullahun.
“Nimetullah Abdullahu i ka organizuar të gjitha. Këta që po akuzohen për logjistikë nuk i njohë. Pse fshihen të tjerët? I merrni njerëz që ruajnë bagëti dhe i burgosni. Ku është Nimetullah Abdullahu të vijë këtu? Ai ishte afër meje”, tha mes tjerash Miftari.
Rufki Dogani ka përsëritur edhe njëherë atë që kishte potencuar edhe në një seancë tjetër të mëparshme.
“Beg Rizaj, Mirsad Ndrecaj, Sami Ukshini, Valoni, … janë dorëzuar të gjallë dhe i kanë dërguar në stacion. Kërkojmë që BE ta marr përsipër rastin, nënvizoi Dogani.
Kujtojmë se Rizaj dhe Ndrecaj sipas versionit të policisë janë vrarë gjatë luftimeve.
Ndërkaq Nasuf Beqiri, i akuzuar, ka kërkuar që rastin ta ndërmerr Prokuroria Speciale Publike.
Prokuroria: Anëtarët e grupit kanë pasur kontakte në mes vete
“Nga analiza e provave shihet se grupi njihet mes vete, ata kanë kontaktuar njëri me tjetrin. Vlerësojmë se Prokuroria Publike në rrjedhën e procedurës do të dëshmojë se aktakuza është ligjore”, tha mes tjerash Prokuroria Publike në fjalën hyrëse, raporton Portalb.
Pala mbrojtëse ka hedhur poshtë aktakuzën. Sipas avokatit Shasivar Iseni fakti që disa prej të akuzuarve njihen mes vete nuk është fakt relevant për tu bazuar aktakuza.
“Unë për herë të parë po dëgjoj fakte të tilla. Bisedimet në të cilat thirret Prokuroria nuk mund të më bindin se është bërë procedurë parahetimore. Provat duhet të vlerësohen nga një organ i pavarur. Nuk e pranojmë aktakuzën”, theksoi avokati mbrojtës Iseni.
Seanca e sotme gjyqësore për rastin “Lagja e Trimave- Kumanovë”, ishte seanca e parë pas bashkimi të dy lëndëve në lidhje me këtë ngjarje. Për shkak të bashkimit të lëndëve, procedura nisi nga fillimi. Portalb.