“Java Kundër Korrupsionit” ka përfunduar me thirrjen për bashkim me qëllim që të çrrënjosjet korrupsioni, duke e luftuar çdo ditë.

Kjo javë përfundoi me shënimin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, ku në sheshin kryesor të Prishtinës pati aktivitete të ndryshme.

Aty u vendos edhe pema e korrupsionit.

Derisa ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie me rastin e përmbylljes së “Javës Kundër Korrupsionit”, ka thënë se gjatë kësaj jave me shumë debate morëm një qëndrim të përbashkët për të luftuar korrupsionin në Kosovë.

Delawie po ashtu tha se bashkësia ndërkombëtare është këtu për të ndihmuar, por lufta kundër korrupsioni iu takon organeve kompetente të Kosovës.

Ai po ashtu tha ndryshimet lidhur me Kodit Penal të Kosovës që do të bëhen, Kuvendi i Kosovës duhet ta miratojë sa më shpejt.

“Kemi dëgjuar për procesin për të cilin e udhëheqë Ministria e Drejtësisë për rishkimin e Kodit Penal, përfshirë këtu edhe kontributin e shoqërisë civile dhe të bashkësisë ndërkombëtare për t’i eliminuar të gjitha ato mangësi të cilat kanë mbetur. Gjithashtu kemi dëgjuar edhe zotimet e tyre se puna në reformimin e ligjeve që rrit disiplinën e sistemit gjyqësor do të vazhdojë dhe po ecë përpara shumë shpejt, kur një gjë e tillë të bëhet atëherë, Kuvendi duhet që ta miratoj këtë pako sa më shpejt”, tha ai.

Delawie po ashtu tha se janë të përkushtuar që të vazhdojnë të punojnë me të gjithë ata që janë të zotuar për reforma në prokurim, reforma gjyqësore dhe çdo përpjekje tjetër e cila e çliron potencialin e Kosovës, dhe qytetarëve të saj për të arritur të ardhmen e ndritur dhe të begatshme që e meritojnë.

Ai po ashtu ka përmendur projektin për indeksin komunal të konkurrueshmërisë për të cilin tha se do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në transparencën dhe pjesëmarrjen e qytetarëve duke ulur edhe mundësinë për korrupsion në të ardhmen.

Ndërsa, shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalia Apostolova tha se i është bashkuar kësaj nismës “Java Kundër Korrupsionit” për të nxitur të gjithë popullin e Kosovës që të bëheni zëri i cili nuk do ta tolerojë korrupsionin dhe do të veprojë me përkushtim kundër zyrtarëve të korruptuar.

Apostolova e ka ripërsëritur se prioritet i BE-së  mbetet lufta kundër korrupsionit.

“Dëshiroj që edhe një herë ta theksoj se lufta kundër korrupsionin mbetet prioritet i Bashkimit Evropian sepse korrupsioni ka ndikim në të gjitha fushat e jetës duke minuar zhvillimin ekonomik, si dhe sundimin e ligjit, për këtë arsye të gjithë ne duhet të bashkohemi në qëllimin tonë të përbashkët për çrrënjosjen e korrupsionit…..Më vjen mirë që mund të them se Kosova i ka përmirësuar më shumë të gjitha përpjekjet e veta për legjislacion të cilat mëtojnë që të kemi ligje të caktuara që janë të rëndësisë thelbësore në reformën evropiane kundër korrupsionit”, tha ajo.

Apostolova shtoi se po e pëmbyllin “Javën Kundër Korrupsionit”, por lufta nuk duhet të ndërprehet sepse çdo ditë duhet të jetë lufta kundër korrupsionit.

Kurse, përfaqësuesi i koalicioneve të OJQ-ve, Betim Musliu tha shënimin e ditës ndërkombëtare kundër korrupsionit po e përmbyllin me një aktivitet simbolik, përmes pemës e cila ishte e vendosur në shesh dhe ishte e stolisur me rastet e korrupsionit në Kosovë.

Ai tutje tha se deri sa nuk ka rezultate konkrte në luftimin e korrupsionit nuk do të ketë as mirëqenie të qytetarëve të Kosovës.