Kriminalitet ekologjik në Tetovë! Në Qendrën sportive në Tetovë, pa një studim ekologjik, Komuna lejon të priten të gjitha drujtë e moshës mbi 50 vjeçare! Të gjithëve u kujtohen skena të përleshjes së protestuesve dhe policisë shqiptare në parkun e Liqenit në Tiranë! Këto protesta dhe përleshje u bënë pse Bashkia e Tiranës, për ndërtimin e kopshtit të lojrave për fëmijë, preu disa druj, e ritheksoj, preu vetëm disa druj dhe jo të gjitha si në rastin e Tetovës që i preu të gjitha e nuk pyeti njeri! Ishin ato protesta qytetare të përkrahura nga shoqata për mbrojtje të mjedisit dhe opozita shqiptare. Nga këto protesta në Tiranë qytetarët fituan edhe kopshtin për fëmijë por edhe kompenzimin e drujve të prerë me mbjellje të drujve tjerë disa herë në numër më të shumtë.

Çka ka ndodhur në Tetovë?!

Prerja e drujve të vjetër mbi 50 vjeçar në Qendrën sportive në Tetovë kaloi pa u pa nga asnjë qytetar i Tetovës, shoqatë apo opozita! Qytetarët e Tetovës si duket janë qenje e veçantë! Këtë kriminalitet ekologjik ato e kanë kaluar sikur të mos e kishin parë asgjë, ndihen të qetë sikur Tetova të jetë qyteti më i pastër në Botë dhe jo më i ndoturi!

Komuna e Tetovës, e vetëdijshme se qytetarët e saj janë të pavetëdijshëm për rëndësinë ekologjike të drujve, për rolin e drujve në pastrimin e ajrit, për të cilët në vendet perëndimore qytetarët do të bënin revolucion edhe për dy-tre druj që do priteshin pa një vendim të përbashkët mes qeverisjes lokale dhe qytetarëve, pa një arsyetim shumë të saktë për nevojën e prerjes së tyre, si dhe pa një elaborat profesional për ndikimin që do kishte prerja e tyre në mbrojtjen e mjedisit.

Ndoshta qytetarët e Tetovës prerjen e drujve 50 vjeçar e kanë trajtuar si një veprim të vockël që ndikon në jetën e tyre krahasuar me gjendjen politike, ekonomike, kulturore, arsimore, ndërnacionale nëpër të cilën po kalojnë tashmë dekada të tëra. Prandaj ndodh edhe nuk e kanë dëgjuar zhurmën e sharrës që ka punuar ditë të tëra deri në prerjen e drurit fundit! Nuk e kanë parë se Qendra sportive e Tetovës, jo larg Qendrës së Qytetit, për disa ditë ka kaluar nga një “mal me druj” të vjetër mbi 50 vjeçar, në shkretëtirë, si ajo e Saharës! Dhe për këtë nuk doli as edhe një qytetar të pyet, qoftë edhe ato që kanë pasur sharrën në duar, se çka realisht po ndodh!

Ndërsa për reagim tjetër të shoqatave qytetare dhe të opozitës as që bëhet fjalë, ato ka vite që kanë “vdekur” apo, më mirë me thënë, s’kanë ekzistuar kurrë në Maqedoni, aq më pak në Tetovë!

Çfarë shpirti mund të kenë ato përfaqësues të qytetarëve të Tetovës, të zgjedhur të popullit, të cilët në vend se të kujdesen për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, me votën e të cilëve udhëheqin me Komunën, ato mbrojnë interesin e profiterëve të sëmurë, mbrojnë interesin e grupeve kriminele për përfitimeve personale! Si ka mundësi të zgjedhurit e popullit të lejojnë dhe të miratojnë plane kriminele që dëmtojnë dhe shkatërrojnë mjedisin, shkatërrojnë Qendrën e vetme sportive në Tetovë, ku të rinjët, në ato kushte zero që kishin, kalonin kohën e lirë, fëmijët zbaviteshin, pleqtë pushonin në hijet e drujve 50 vjeçare!

Qendra sportive në Tetovë është hapësirë publike, është pronë e çdo qytetari të Komunës dhe si e tillë, një pjesë e kontributit të tyre, nga Buxheti i Tetovës duhej të ndahen mjete për mirëmbjatje dhe krijimin e kushteve normale për pushim dhe rekrecion të qytetarëve dhe jo tu lihet grupeve kriminele ta kthejnë në Saharë!

Në vend të kësaj, drejtusit e Komunës së Tetovës, pa i pyetur qytetarët, pranojnë dhe miratojnë planin e interesit të grupeve kriminele, nga të cilët qytetarët e Tetovës më shumë se dy dekada kanë pasur vetëm dhimbje. Ishte po ky grup kriminel që e la Tetovën pa ndërmarrjen publike për transport urban “POLET”! Ishte ky grup kriminel që uzurpoi Stacionin e autobusëve në Tetovë, pronë e qytetarëve të Tetovës, kinse për të kompenzuar borxhin nga ndërmarrja për transport publik “POLET” në Tetovë! Është po ky grup kriminel që ka uzurpuar edhe Qendrën sportive në Tetovë, kinse fillimisht me marrëveshje kocesionare, dhe pas disa vitesh ta kalon në pronë private! Të gjitha këto janë realizuar nga një rrjet kriminel brenda dhe jashtë Komunës së Tetovës, të cilët kanë shitur çdo pronë të qytetarëve që ka ekzistuar në Tetovë, si shitja e qindra m2 sipërfaqe nga hapësirave të mbetura afariste të Objektit të pazarit të gjelbërt në Tetovë bashkë me parkingun e tij, si hapësirë publike!

Fleni, fleni qytetar të Tetovës, derisa një ditë, kur të zgjoheni nga gjumi “i ëmbël”, edhe shtëpitë do ndryshojnë pronar, të gjitha do kalojnë në pronësi të grupeve kriminele! /GESH