dhe botimi i edicionit të dytë “Kadare i denoncuar”, ashtu si pritej ka shkaktuar polemika të forta në rrethin e intelektualëve shqiptarë të shkrimtarit me diktaturën, duke u kthyer edhe në një nga librat më të kërkuar. Për këtë arsye botimet UET Press vendosën të risjellin “Kadare në 101 dokumente të ‘Pallatit të Ëndrrave’”, në një botim të ri vetëm me dokumente të thata e të sakta, pa asnjë interpretim dhe komente

Edhe botimi i edicionit të dytë “Kadare i denoncuar”, ashtu si pritej ka shkaktuar polemika të forta në rrethin e intelektualëve shqiptarë të shkrimtarit me diktaturën, duke u kthyer edhe në një nga librat më të kërkuar.

Për këtë arsye botimet UET Press vendosën të risjellin “Kadare në 101 dokumente të ‘Pallatit të Ëndrrave’” në një botim të ri vetëm me dokumente të thata e të sakta, pa asnjë interpretim dhe komente. Në rreth 700 faqe ky botim përfshin sërish 101 dokumente nga aparati shtetëror dhe partiak i Shqipërisë komuniste për Ismail Kadarenë, të përgatitur për botim nga Dashnor Kaloçi, si botim universitar.

Po përse një botim i tretë, përse vetëm me dokumente? Për këtë, administratori i UET Press, Henri Çili sqaron në pasthënie të librit se, 101 dokumentet vijnë pa asnjë presje të shtuar, pa asnjë presje të hequr, pa asnjë koment shtesë, si një hyrje të re në debatin për Kadarenë, i cili sapo ka filluar.

“Libri ‘Kadare i denoncuar’ ka trazuar shumëçka, ka trazuar madje gjithçka në jetën tonë publike. ‘Me këtë libër jepkeni Kadaresë Nobelin-in’, -tha dikush.

Një tjetër: po bëni historinë, po paraqisni Kadarenë viktimë të sistemit. Në fakt nuk po bëjmë asnjërën nga këto të dyja, po themi vetëm të vërtetën, një të vërtetë të relativizuar, të fshehur, të lënë përgjysmë, të deformuar të këtyre 25 viteve. Një temë madhorë raporti i Ismail Kadaresë, shkrimtarit tonë të madh, dhe një nga shkrimtarët më të rëndësishëm botërore të kohës, me sistemin diktatorial në Shqipëri”.

Libri përmban material bazik, me disa anekse në fund të tij, si dhe shoqërohet në hyrje me recensën shkencore nga prof. dr. Romeo Gurakuqi, që sipas tij leximi i përmbajtjes së këtij dokumentacioni ka ngritur një numër pyetjesh, që lidhen me dobishmërinë ose jo të botimit të tyre sot? Ose, a duhet një kujdes i posaçëm në një proces të tillë, për moscenimin e bashkësisë së njerëzve shqiptarë të kohës, që dhuna e frymës së ‘Pallatit të ëndrrave’, imponoi qëndrime dhe të padëshiruara?

Këto dokumente janë të mbledhura me skrupulozitet dhe me përgjegjshmëri nga Dashnor Kaloçi në Arkivat e shtetit shqiptar, që siç shpjegon Çili vijnë “të thata e të sakta, si vetë fakti historik”.

“Nga këqyrja dhe leximi i këtyre dokumenteve që po i botojmë të plota dhe pa asnjë ndryshim, garantuar me përgjegjësinë personale të Kaloçit për autenticitetin e tyre, dua të shtoj dhe diçka që më ka bërë përshtypje: në tërësinë e këtyre dokumenteve shihet qartë se, Ismail Kadare, është një subjekt i vëzhguar, i ndjekur, i denoncuar, i trajtuar dhe i vëzhguar në çdo hap të tij nga ‘Pallati i Ëndrrave’, nga Komitetit Qendror, ose nga aparati i shtetit shqiptar”, shkruan administratori i UET Press.

Në kontekstin aktual të debatit historik në Shqipëri, “Kadare i denoncuar” mendohet se përfaqëson një kulturë të re të trajtimit të së shkuarës nëpërmjet dokumentit historik dhe autentik, duke lënë të lirë mundësinë e interpretimit, konteksteve, nuancat apo ngjyresat.

“Detyra e studiuesit dhe, në rastin tonë, edhe e shtëpisë botuese universitare UET Press është të paraqesë, në formë autentike, dokumentin historik”, vëren Çili.

Edhe pse janë raporte të mjera, siç thotë studiuesi Gurakuqi, ndërkohë ky dokumentacion merr vlerë të veçantë në njohjen e së vërtetës të vështirë të akademikëve shqiptarë dhe një proces të ngritjes përmes “adaptimit” në sistem të lëvizjes përmes barrikadave të dhunës, të përdorimit me kujdes milimetrik të statusit të fituar, falë talentit, mendjes, punës, dhe veprave monumentale, nga shkrimtari dhe njeriu më i madh shqiptar i njohur sot në botë.

Sipas Gurakuqit ky botim merr rëndësi sepse tregon një nivel të pamat dhe vështirësisht të klasifikueshëm, të komprometimit të shoqërisë shqiptare në përgjithësi dhe klasës së re intelektuale në veçanti, të epokës së socializmit ngadhënjimtar.

“Ky botim bën të reflektosh se për 50 vite që është koha e lindjes e së paku dy brezave shqiptarë, në pjesën e brendshme shtetërore, vendi ka ecur nën drejtimin e një ‘elite intelektuale dhe politike’ që iu është imponuar nënshtrimeve të një linje, është detyruar të mbijetojë duke shkruar, të nënshtrohet, por një pjesë është mësuar të raportojë, gënjejë, të autocensurohet, të intrigojë, të survejojë, të bëjë kompromise të paprincipta dhe të godasë para së gjithash, njerëzit që kanë menduar, intelektualët e pakët që kanë pasur një zë dhe janë orvatur të dalin mbi shoqërinë, pa dëme thelbësore dhe pa humbje kohe e energjish në zbrazëtirën bolshevike të Shqipërisë së Enver Hoxhës…”, ndalet ndër të tjera në hyrje të botimit të ri, studiuesi i historisë.

Nga ana tjetër për këtë botim thuhet se nxjerr në pah edhe nevojën e përcaktimeve ligjore më të qarta, mbi nivelet e hapjes së dosjeve, mënyrës se si mund të botohen, nevojën urgjente të hapjes së sistemuar të dosjeve e dokumenteve të prodhuara nga organet shtetërore: të Sigurimit të Shtetit dhe KQ të PPSH, dikastereve qeveritare.

Me numrin komunikativ 101, në këtë botim nuk ka vepruar asnjë mekanizëm selektimi, përveç përzgjedhjes metodike për t’iu ofruar lexuesve një material të ri, bazik, që së shpejti pritet të përgatitet edhe në një edicion tjetër më të shkurtuar, për të cilën UET Press është në negociata me botuesin anglez për ta përkthyer këtë vepër, duke u konsideruar nga botuesit si një borxh intelektual që i kemi Ismail Kadaresë në lidhje me të vërtetën e vendit të tij në diktaturë.

Ky projekt, pas edicionit të parë me 31 dokumente, të Kadare i denoncuar, konsiderohet i plotë, për të nisur një fazë të re të kërkimeve historike të shqiptarëve për periudhën e komunizmit, duke çuar më tej këtë fenomen me këtë kontribut, qoftë edhe më tej, edhe në kërkimet në rrafshin e Evropës Lindore në raportin e sistemeve diktatoriale me letërsinë, artin dhe shkrimtarë të njohur.