Heshtje në Ministrinë e Ekologjisë për problemin me deponinë në qytetin e Tetovës dhe akuzat që Ndërmarrja Publike i bëri në adresë të Ministrinë për ngecjen e punimeve në këtë deponi. Banorët nga ana tjetër shprehen të revoltuar nga përplasja mes institucioneve. Ata kërkojnë zgjidhjen e shpejtë të problemit. Ata madje paralajmëruan protesta në rast të mos largimit të mbeturinave.

“Unë jam bash aty afër, e dini se xhamat s`mund ti hapi. Si hapim se era të mbyt, tash pak është zbut bile kur ishte edhe Jugohromi natën dallohej shumë”, u shpreh një banor.

“Unë mendoj se kjo maxhoranca jonë nuk i kryen punët si duhet. As i ka kry e as që do i kryej asnjëherë. Qytetarët duhet të mobilizohen vet dhe ti mbledhin forcat e tyre vet. Fajet i ka faktori ynë politik që është në pushtet”, deklaroi një banor tjetër.

“Të të them diçka më vjen gërdi edhe të flas, në çdo aspekt qoftë nga tanët qoftë nga shteti. Po faji është tek tanët se ata duhet ta kërkojnë punën e tyre para por ata nuk e kërkojnë dhe t`vjen gërdi edhe të flasësh”, shtoi një tjetër banor.

Kryetarja e Tetovës Teuta Arifi tha se problemi me këtë deponi do të zgjidhet deri në fund të vitit. Arifi tha se në procedurë është hapja e tenderit për lokacionin e ri dhe ndërtimin e pikës së mbyllur për ngarkim-shkarkim të mbeturinave.

“Gjatë shpalljes nuk ka diçka që do pengojë dhe jam e kënaqur që kemi arritur të hapim procedurë në mënyrë të bazuar juridike. Faktikisht ne shpejtojmë që të bëhet sa më shpejtë”, deklaroi Teuta Arifi, Kryetare e komunës së Tetovës.

Edhe pse punimet për pastrimin e deponisë filluan më 29 tetor, të njëjtat nuk përfunduan për 3 ditë siç premtuan autoritet, gjë që rëndoi edhe me tepër gjendjen.Alsat-M