Deputetët e ri, por edhe kolegët e tyre nga mandati i kaluar ende nuk i kanë dorëzuar deri tek Komisioni i anti korrupsionit listat anketuese për të dëshmuar pronat që posedojnë. Listat anketuese po ashtu duhet të dorëzohen edhe tek Drejtoria e të Ardhurave Publike. Kryetari i komisionit të anti-korrupsionit Igor Tanturovski, pret që deputetët ta respektojnë afatin ligjor i cili është deri më 30 janar.

“Deri në këtë moment nuk kam informacion nëse ka arritur diçka. Megjithatë, përvoja nga e kaluara tregon se deputetët i janë përmbajtur dispozitave ligjore për të paraqitur pronën e tyre në Komision. Pres që edhe tani të jetë kështu dhe të dorëzohen me kohë listat anketuese”, deklaroi Igor Tanturovski, kryetarë i Komisionit kundër korrupsionit.

Sipas ligjit për kuvendin, deputetët duhet të plotësojnë listën anketuese më së voni 30 ditë pas verifikimit të mandatit. Ata në listën anketuese duhet të evidentojnë pronën e tyre, gjërat me vlerë, kërkesat dhe borxhet, si dhe prona tjetër që është në pronësi të anëtarëve të familjes për të cilët duhet të theksohet baza se si është arritur ajo.

Këtë obligim e kanë deputetët e ri por edhe ato në largim të cilët duhet të njoftojnë edhe nëse mbeten në të njëjtën pozitë. Për ata deputetë që shkelin afatin, ligji parashikon sanksione.Alsat-M