Aleksandra Cvetkovska dhe Arta Toçi pritet të jenë dy deputetet e reja në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Edhe pse ende nuk e kanë pranuar zyrtarisht mandatin, deri tani asnjëra prej tyre nuk ka deklaruar se e refuzon të njëjtin.
Komisioni për verifikim mandatesh ende nuk ka verifikuar mandatet e dy deputeteve të reja. Zakonisht kur ka pasur dorëheqje deputetësh, gjatë seancës plenare konstatohet e njëjta dhe më tej, pas një pushimi që jepet nga Kryetari i Kuvendit, mblidhet Komisioni që fton deputët e rinj për ta pranuar mandatin e ri, shkruan in7.
Kjo ka ndodhur në praktikat e deritanishme, por nuk ndodhi në këtë rast.
Siç mëson in7, deputetet Toçi dhe Cvetkovska pritet të ulen në karriket e tyre prej deputeti, gjatë seancës së caktuar për më 23 Korrik.

Kuvendi në seancën e kaluar konstatoi dorëheqjen e Vesel Memedit, i cili ushtronte edhe pozitën e nënkryetarit të Kuvendit. Memedi u dorëhoq pas ndryshimeve qeveritare, ku ministri i tij, Suhejl Fazliu ishte njëri nga funksionarët që u shkarkuan.

Memedi ishte deputet i koalicionit të zgjedhjeve të vitit 2016 të quajtur Aleanca për Shqiptarët. Pas Memedit në listë është profesorja Arta Toçi, ish-zëvendësministre në Ministrinë e Jashtme dhe kryetare e Asamblesë së Gruas pranë Aleancës për Shqiptarët.

Ndërsa Aleksandra Cvetkovska vjen nga radhët e LSDM-së. Ajo pritet të ulet në karriken e lënë bosh nga ish-deputeti Goran Milevski, i cili prej disa ditësh ka marrë pozitën e Ministrit për Pushtet Lokal, në vend të të shkarkuarit Suhej Fazliu.
Cvetkovska ishte në listën për deputetë të koalicionit të udhèhequr nga LSDM, në zonën numër 5.
Me dy deputetet e reja, do të rritet edhe numri i deputeteve femra në Kuvend. /in7.tv/