Në përbërjen e kaluar parlamentare, në karriget e deputetëve kanë qenë ulur 123 deputetë. Megjithatë, në periudhën prej muajit maj të vitit 2014 deri në shtator të vitit 2015, 30 karrige kanë qenë të zbrazëta. Bojkoti i opozitës që atëkohë nuk i pranonte zgjedhjet, zgjati plot 15 muaj. LSDM-ja nuk mori pjesë në mbledhjen konstitutive të mbajtur më 10 maj 2014, ndërsa në Kuvend u kthye më 15 shtator të vitit 2015. Atëherë, përfaqësuesit e LSDM-së morën nga 123 mungesa të paarsyeshme.

 

Publikimi “Deputeti im” që jep pasqyrë për punën e parlamentarëve, tregon se për periudhën maj-dhjetor të vitit 2014, më së shumti mungesa të arsyeshme ka pasur kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, i pasuar nga bashkëpartiakët e tij Hazbi Lika dhe Ermira Mehmeti. Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare Menduh Thaçi ka pasur 33 mungesa të arsyeshme dhe 19 të paarsyeshme. Në këtë periudhë, janë mbajtur 29 seanca, prej të cilave 26 janë përfunduar, ndërsa 3 nuk janë përfunduar. Gjithsej janë sjellë 153 ligje, 84 nga fusha e ekonomisë, 46 nga aktivitetet publike dhe 23 nga sistemi politik, njofton TV21.

Në 6 muajt e parë të vitit 2015, Kuvendi ka sjellë gjithsej 178 ligje. Sipas publikimit “Deputeti im” për periudhën nga janari deri në qershor të vitit të kaluar, liderët e dy partive më të mëdha shqiptare – Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi kanë më së shumti mungesa të arsyeshme në seancat plenare, edhe atë me nga 52. Pranë tyre, në listë është edhe Hazbi Lika me 49 mungesa, Ermira Mehmeti me 38, Risto Mançev me 34 dhe Amdi Bajram me 27 mungesa të arsyeshme. Në gjysmën e parë të vitit 2015, lista e deputetëve që nuk kanë munguar në seancat plenare kryesohet nga njeriu i parë i Kuvendit – Trajko Veljanovski, i pasur nga Andon Çibishev, Svetllana Jakimovska, Silvasna Boneva dhe Roza Topuzova Karevska.

Edhe sa u përket 6 muajve të fundit të vitit 2015, deputetët më të parregullt përsëri kanë qenë Ahmeti, Thaçi, Lika dhe Manveç. Në listën e atyre që kanë munguar në këtë periudhë është edhe Artan Grubi me 44 mungesa. Në këtë periudhë 6-mujore janë votuar plot 395 ligje, që është dyfish më shumë se 6-mujori i parë. Gjithsej janë mbajtur 32 seanca, që të gjithë të përfunduara.

Në gjashtë muajt e parë të vitit 2016, në organin ligjvënës janë sjellë gjithsej 178 ligje./Telegrafi/