Pushteti në Federatën Ruse po e rrezikon paqen në botë me atë që i ka shkelur parimet themelore në të cilën ajo bazohet dhe nuk mundemi të mbetemi neutral.
Kjo është një pjesë e përgjigjes së ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, si koment ndaj deklaratës së zëdhënëses së MPJ-së, Marija Zaharova, e cila tha se dërgimi i helikopterëve në Ukrainë është gabim i madh i Qeverisë së RMV-së, transmeton Portalb.mk.

“Federata ruse i ka shkelur dhunshëm, paarsyeshëm parimet themelore të të drejtës ndërkombëtare dhe të drejtës ndërkombëtare humanitare. Ato janë principe të arkitekturës së sigurisë evropiane, ato janë parime të cilat e mbajnë paqen në shtetet tona. Qytetarët tanë jetojnë në paqe pasi që pas Luftës së Dytë Botërore është vendosur rregull ndërkombëtar juridik i cili parandalon shtetet që t’i sulmojnë shtetet fqinje. Prej këtu, qëndrimi ynë nuk është për popullin rus, për Rusinë, por për sjelljen agresive të Federatës ruse dhe të pushtetit i cili e rrezikon paqen botërore nëpërmjet shkeljes së atyre parimeve në të cilat bazohet paqja në botë, veçanërisht në Evropë, por edhe në Maqedoninë e Veriut. Prej këtu, ne nuk mundemi të qëndrojmë neutral”, tha Osmani.

Ai shtoi se RMV nuk jep armë që Ukrainë të sulmojë dikë, por i ndihmojmë që ta mbrojë paqen dhe popullin e saj.

“Sot ushtarët ukrainas luftojnë edhe për paqen tonë, për vlerat dhe prej këtu ne me faktin se jemi pjesë e atij sistemi të vlerave në të cilat dominon respektimi i sovranitetit dhe integritetit territorial, sundimi i së drejtës, demokracia dhe të drejtat e njerëzve, ne tregojmë se jemi në anën e vërtetë të historisë dhe do të vazhdojmë të jemi ashtu derisa të jetë e nevojshme. Marrëdhëniet bilaterale me Rusinë tani janë më pak të rëndësishme se sa rrezikimi i paqes e cila ka filluar me këtë sjellje të Rusisë që e hap kutinë e Pandorës për sjellje të tillë agresive të regjimeve autoritare në botë”, tha Osmani.

Paraprakisht, Zaharova në lidhje me dërgimin e helikopterëve tha se “Një vendim të tillë do ta konsiderojmë gabim të madh të qeverisë maqedonase”.

Ndryshe, RMV do të dërgojë 12 helikopterë “Mi-24” në Ukrainë, paralajmëroi ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska. Ky vendim duhet të miratohet në Qeveri.

Helikopterët që do të dhurohen, janë të prodhimit rus dhe janë marrë mu nga Ukraina në vitin 2001, por të njëjtit nuk përdoren për shkak të mungesës së pjesëve rezervë.