Rruga e Arbërit e cila ditëve të fundit është riaktualizuar rezulton se ka qenë një nga premtimet e partisë shqiptare në pushtet, jo vetëm në zgjedhjet e vitit 2014, por edhe shumë më herët, raporton SHENJA.

Për pjesën e kësaj rruge që duhej të ndërtohet në territorin e Maqedonisë e që do të lidhte Tiranën, Dibrën dhe Shkupin, për të vazhduar më pas drejt Kosovës, tre vite më parë është prononcuar edhe ish kryetari i Komunës së Dibrës, Argëtim Fida. Ai ishte shprehur atëkohë optimist se Qeveria e Maqedonisë do të sigurojë mjetet, duke u thirrur në takimin e dy ish kryeministrave, Nikolla Gruevski dhe Sali Berisha.
“Unë jam i bindur që nga takimi që patën zoti Berisha me zotin Gruevski, ku u diskutua edhe për vazhdimin e kësaj rruge në pjesën e Maqedonisë, jam i bindur që me zgjidhjen ideore të cilën do e bën shpia projektuese e zotit Faruk Kaba dhe vazhdimin e projektit që do e bën nga Dibra e tutje Agjencioni i rrugëve të Republikës së Maqedonisë, kjo ide e shkurtimit të distancës Tiranë-Dibër-Shkup do bëhet realitet në vitet që vjen. Pra uroj që edhe Qeveria e Maqedonisë ta kap këtë ide dhe ta mbështesë financiarisht” , kishte deklaruar Argëtim Fida, ish kryetarë i Komunës së Dibrës më 31.01.2013.

 Për këtë rrugë optimizmi u rrit edhe në Tiranë. Ish kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha si dhe zyrtarë të tjerë të shtetit shqiptarë shpresonin në realizimin e këtij projekti falë zotimeve që kishin marë nga Qeveria e Maqedonisë e drejtuar nga VMRO-DPMNE dhe BDI./SHENJA/