Për të tretën herë Kryesisë së Kuvendit të Kosovës i ka dështuar mbledhja, ku pritej të diskutohej për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Kjo për faktin se kishte mungesë kuorumi.

Reagim të ashpër kundër kësaj iniciative edhe dje pati nga ambasadori amerikan Greg Delawie.

Në mungesë të kuorumit kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka mbyllur mbledhjen (e cila nisi me një orë vonesë), duke thënë se atë do ta thërrasë për javën tjetër.

Kryekuvendari kishte thirrur mbledhje edhe në natën e 22 dhjetorit pikërisht për këtë çështje, porse në mungesë të numrave kishte dështuar dy herë radhazi, shkruan tutje “Zëri”.

Mbledhjen e djeshme, pos lëvizjes “Vetëvendosje”, e bojkotuan edhe AAK-ja, Nisma e komunitetet joshumicë (pjesë të koalicionit qeverisës). Përfaqësuesit e këtyre partive u arsyetuan duke thënë se disa prej anëtarëve ishin jashtë vendit.

Ndërkaq përfaqësuesit e LDK-së, ani pse ishin të pranishëm në sallë, bënë të ditur se kishin planifikuar ta lëshonin mbledhjen kur të vinte në radhë Projektligji për Shfuqizimin e Dhomave të Specializuar.