Turqia u zgjua e trazuar nga ngjarjet e natës, ku qeveria dhe Presidenti Erdogan denoncuan një përpjekje për grusht shteti nga fraksione të ushtrisë së vendit. Mbeten ende shumë gjëra për t’u zbardhur mbi rrjedhën e ngjarjeve, por ajo që është e sigurtë, të paktën sipas Ankarasë zyrtare, është se grushti dështoi, por jo pa kosto.

Të paktën 90 persona kanë gjetur vdekjen dhe mbi 1 mijë janë plagosur nga trazirat e natës, përfshirë këtu ushtarë dhe civilë. Qeveria turke thotë se ka marrë kontrollin e institucioneve që u mësynë nga ushtarakët rebelë dhe se ka arrestuar mbi 1500 persona, pjesa më e madhe e të cilëve ushtarakë.

Kryeministri Yildirim deklaroi në orët e para të mëngjesit se situata ishte pothuajse nën kontroll. Më herët ai kishte urdhëruar forcat ushtarake besnike që të shënjestronin helikopterët, avionët dhe tanket e përdorura nga grupi i ushtarakëve pjesëmarrës në grushtin e shtetit. Një helikopter i tyre u qëllua teksa po fluturonte mbi Ankara, duke vrarë të gjithë pjesëtarët në bord.

Të shtëna sporadike raportohen ende në disa qytete të vendit dhe ka raportime se grupe ushtarësh pjesë e grushtit të shtetit po vijojnë rezistencën. Mediat vendase thonë se ata zotërojnë ende disa tanke dhe helikopterë dhe kanë refuzuar deri më tani që t’u dorëzohen autoriteteve. Edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë turke, Hulusi Akar, që u raportua i marrë peng më herët nga anëtarët e grushtit të shtetit, është liruar.

Presidenti Erdogan u shfaq në orët e natës në Stamboll mes qindra mbështetësve. Ai i quajti “akte tradhëtie” ngjarjet, premtoi vendosjen para drejtësisë të autorëve dhe tha se ushtria “ka nevojë për pastrim”.

Nuk dihet ende se kush udhëhoqi përpjekjen për grusht shteti dhe cila është mbështetja që gëzon në radhët e ushtrisë. Megjithatë, në një deklaratë, Ministria e Jashtme u kujdes të ndajë pjesëmarrësit në grusht me pjesën tjetër të ushtrisë.

“Forcat e Armatosura turke nuk ishin të përfshira në grushtin e shtetit. Ishte një klikë brenda forcave të armatosura që morën një përgjigjie të mërituar nga populli ynë”, thuhej në deklaratë./tch