Kuvendi i Kosovës sërish dështoi të zgjedhë kryetarin dhe nënkryetarët. Koalicioni fitues nuk i pati numrat e mjaftueshëm për ta votuar kandidatin e tyre për të parin e Kuvendit të Kosovës. Për herë të parë, përfaqësues të PAN-it pranuan se janë në krizë numrash dhe për këtë kërkuan një afat shtesë.

Nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, tha se u duhen edhe dy javë për t`i siguruar votat e nevojshme.

Kuvendi i Kosovës u mblodh sërish për të zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e rinj. E drejta për ta propozuar kandidatin për kryeparlamentar i takon koalicionit fitues, deputetët e të cilit fillimisht patën një takim në selinë e PDK-së.

Kryesuesi i Kuvendit, Adem Mikullovci, ftoi përfaqësuesin e PAN-it, ta thotë propozimin.

“Ftoj PAN-in të thotë emrin për kryetar të kuvedit”, tha Mikullovci.

Ndërsa Hoxhaj tha se: “Kemi emrin por kërkojme kohë. Më shumë se 10 dite e më pak se dy jave”

Vetëvendosje, përmes Albin Kurtit, i kërkoi bashkëpunim LDK-së për të dalë nga kjo situatë, ndërkohë Avdullah Hoti nga koalicioni LAA tha se nga sot vendi po hyn në krizë të thellë dhe propozoi një zgjidhje tjetër nga ajo çka propozoi Kurti.

Pa zgjedhjen e kryeparlamentarit nuk mund të ecet asnjë para me formimit të Qeverisë së re, ndërkohë numri i votave (thjeshtë) të nevojshme për zgjedhjen e kryetarit është 61.

Kryesuesi i seancës, Adem Mikullovci, pas një orë diskutimesh mbylli seancën, pas propozimit të PAN-it për një kohë shtesë. Fundi i seancës ne këtë formë çoi në këtë përplasje verbale ndërmjet kryesuesit Adem Mikullovci nga VV dhe kryetarit të AKR-së Behgjet Pacolli.