Ecuria pozitive e Shkëndijës në eliminatoret e UEFA Europa League dhe starti i suksesshëm i sezonit të ri në LPFM kanë lënë të kënaqur Lazim Destani, i cili këtë e ka shprehur publikisht përmes një postimi në profilin e tij në facebook. Destani vlerëson arritjen e ekipit në fazën e play offit të Europa Leagues për të dytin vit me rradhë dhe paraqitjen bindëse kundër Vardarit në kampionat, ndërsa inkurajon ekipin para përballjeve me Milanin.

“Shkëndija sfidon Milan-in në ‘San Siro’

Ju jeni Shkëndija e pritjeve dhe dëshirave të tifozëve, Ballistëve dhe gjithë adhuruesve të skuadrës kuqezi. Ju jeni skuadra e lojës së bukur dhe e fitoreve të njëpasnjëshme. Unë gëzohem nga këto suksese të skuadrës kuqezi por gëzimi im bëhet akoma më i madh kur i shikoj të kënaqen gjithë ata tifozë e adhurues të Shkëndijës, anembanë trojeve tona.

Shkëndija dje në ndeshjen me Vardarin në Tetovë, na bëri krenarë duke e nisur me fitore sezonin e ri. Me këtë rast, uroj të na shkojë mbarë dhe paçim suksese në këtë sezon.

Meqenëse jemi para ndeshjes sonë historike me gjigantin e futbollit europian Milan-in, unë dua t’ju përgëzoj për sukseset në Europa Ligë ku ju arritët ta bëni realitet synimin dhe premtimin tonë për ta parë Shkëndijën në skenën europiane.
Me datën 17 të këtij muaji, do t’i përjetojmë fjalët e bukura, fjalët që i drejtohen Shkëndijës dhe gjithë tifozëve, – Mirëse Vini në ‘San Siro’!

Jam i bindur se në përballjen me Milan-in, ju lojtarët do ta jepni më të mirën. Me vet këtë përballje, krenarinë dhe dinjitetin tashmë na e keni sjellë, ndërsa shpresoj dhe uroj, nga Milano të ktheheni kryelartë e me rezultat të mirë!

Ju priftë e mbara!” ka shkruar Destani në Facebook para lojës së madhe të Shkëndijës me Milanin.