Të martën, rrjeti social Facebook prezantoi kriptovalutën e cila e quan Libra.

Sipas kompanisë, misioni i kriptovalutës do të jetë krijimi i një infrastrukture më të thjeshtë financiare botërore dhe se njerëzit duhet të kenë mundësinë që të dërgojnë para me të njëjtën lehtësi sikurse dërgojnë një foto.

Themeluesi i Facebookut, Mark Zuckerberg, në momentin e prezantimit ka thënë se çdo person që ka qasje në internet, njëjtë do të ketë qasje edhe në këtë monedhë dixhitale, me një kosto minimale.

Kjo kriptovalutë pritet që t’i krijojë 95 milionë vende të punës me një vlerë të shtuar prej 3.7 trilionë dollarëve. Po ashtu, ndikim tjetër do të jetë edhe reduktimi i varfërisë ekstreme prej 22 për qind dhe shtimi i të ardhurave prej 20 për qind, përcjell Telegrafi.

Por, kjo teknologji e re ka filluar të kritikohet dhe të kërkohet shqyrtimi i saj nga autoritetet në mbarë botën.

Libra është “një monedhë botërore dhe infrastrukturë financiare“. Pra, me fjalë të tjera është një mjet dixhital i ndërtuar nga kompania dhe fuqizuar nga versioni i Blockchainit të Facebookut me teknologji enkriptimi të përdorur nga Bitcoin dhe kriptovalutat e tjera.