Shkencëtarët kanë gjetur arsyen përse disa gra kanë më shumë gjakderdhje gjatë ciklit menstrual se të tjerat. Pas vitesh kërkime, një ekip shkencëtarësh kanë zbuluar një proteinë kyçe që ndihmon në rigjenerimin e veshjes së brendshme të mitrës gjatë ciklit menstrual, duke kufizuar kështu gjakderdhjen. Shkencëtarët thonë se disa gra kanë nivele më të ulëta të oksigjenit në gjak, gjë që çon në prodhim më të ngadaltë të kësaj proteine dhe si pasojë humbje më intensive të gjakut. Një në 3 gra kanë shumë gjakderdhje gjatë ciklit menstrual, gjë që mund të çojë edhe në zhvillim të anemisë, kur nuk ka mjaftueshëm qeliza të kuqe të gjakut për të transportuar oksigjenin në të gjithë trupit. Terapitë aktuale bazohen te hormonet dhe parandalojnë shpesh shtatzëninë. Trajtimet hormonale në disa raste mund të kenë edhe efekte anësore. Hulumtuesit shkencorë nga Universiteti Edinburgh studiuan veshjen e brendshme të mitrës, njohur ndryshe si endometrium. Gjatë ciklit menstrual krijohet një hapësirë si plagë në këtë veshje të mitrës, që duhet të mbyllet për të limituar humbjen e gjakut. Ata zbuluan se nivelet e ulëta të oksigjenit , njohur ndryshe si hipoksia, stimulojnë prodhimin e proteinës së quajtur HIF-1, që stimulon riparimin e veshjes së brendshme të mitrës. Gratë që kanë shumë gjakderdhje kanë nivele më të ulëta të proteinës HIF-1 krahasuar me ato me gjakderdhje normale. Gjatë disa eksperimenteve të kryera te minjtë shkencëtarët përdorën një ilaç për të rritur nivelet e proteinës HIF-1 për të rigjeneruar indet dhe ulur gjakderdhjen. Shkencëtarët thonë se rezultatet e këtij studimi, të publikuar tek revista Nature Communications, ofrojnë “shpresë” për gjetjen e një terapie të re. “Këto rezultate japin shpresë për gratë që vuajnë në heshtje nga kjo gjendje për një kohë të gjatë”