NASER SELMANI

Të dielen do kemi zgjedhje dhe secili prej nesh do të përcaktohet se cilës parti do t’ia besojë votën që ta përfaqësojë në Parlament. Të gjitha zgjedhjet janë të rëndësishme për qytetarët sepse në to vendoset se kush do të drejtojë vendin në katër vitet e ardhsme. Çdo herë vendi duhet të drejtohet nga njerëz me vizon, të aftë dhe të përgjegjshëm. Megjithatë, këto zgjedhje për qytetarët e Maqedonisë, veçanërisht për shqiptarët, duhet të jenë të veçanta sepse në një anë do vendoset nëse vendi do të mbajë kursin e eurointegrimeve, ose do të hyjë në një rrugë qore,  e cila në vete përmban shumë rreziqe. Në anën tjetër, është vendimarrja e shqiptarëve, nëse ato do të duhej të miratonin politikën vasale të Bashkimit demokratik për integrim karshi politikave të VMRO, ose shqiptarët do të qëndrojnë në konceptin politik për të qenë të barabartë në Maqedoni me popujt tjerë.

Të jem i sinqertë unë ende s’mund të votojë për një parti maqedone, më arsyetimin se kështu do të ndihmoja që vendi ta ruajë kursin properendimorë. Ky vendim nuk duhet të varet vetëm nga vota e shqiptarëve, por nga vullneti burimor i bashkëqytetarëve tonë maqedonë për të ndarë vlerat e përbashkëta të qytetërimit evropian. Nëse shumica maqedone nuk përqafon vlerat themelore demokratike, atëherë këtë shqiptarët s’mund ta imponojnë. Bile është mirë që kjo tendencë të dali në sipërfaqe sepse përndryshe kurrë nuk do ndyshojë nëse maskohet. Çështje tjetër është se unë nuk besoj se ndonjë parti maqedone, është e sinqert dhe serioze në jetësimin e  vlerave perendimore në Maqedoni. Sikur LSDM dhe VMRO, vërtet do ishin të përkushtuara ndaj këtyre vlerave, vendi sot do të ishte i integruar në NATO gjithsesi, por ndoshta edhe në BE. Prandaj e rreme është dilema se për kë duhet të votojnë shqiptarët. Vota e tyre duhet të shkojë në koshin e partive shqiptare edhepse respektojë të drejtën e çdo shqiptari të votojë ndonjë parti maqedone, njëkohësisht duke marrë mbi vete edhe përgjegjësinë për atë vendim, i cili sipas mendimit tim është krejtësisht i papjekur dhe naiv.

Atëherë, nëse shqiptarët duhet të votojnë për një parti shqiptare atëherë shtrohet pyetja se cila është ajo parti që meriton besimin tim si qytetar. Meqë e drejta e votës ushtrohet në mënyrë të fshehtë, kësaj pyetje do t’i përgjigjem në ditën e zgjedhjeve kur të shkojë në pikën e votimit.

Por, si qytetar kam të drejtë të ndajë me opinionin se për cilën parti nuk do të votojë duke mos i sugjeruar askujt se si duhet të veprojë. E para parti në këtë listë që kurrë s’do të marrë votën time, është BDI. Një ditë një mikut tim i thash, më parë do pajtohesha të ma prisnin dorën, se sa të votoja për BDI. Sadoqë kjo qasje ime duket emocionale, kjo bindje ime si qytetar i këtij vendi, si gazetar, por edhe si shqiptar, është shumë racionale.  Fajin që kurrë s’mund t’ia falë BDI-së si qytetarë shqiptarë, është ai se si një parti e dalë nga lufta, jo vetëm që nuk e realizoi ëndrrën e shqiptarëve për të qenë të lirë, të barabartë në një shoqëri demokratike dhe të integruar në strukturat euroatlantike, për shkak të qyqarllëkut dhe grykësisë së drejtuesve të BDI, të cilët e përligjën politikën e Nikolla Gruevskit, që subjektet politike shqipare t’i shëndrojë në satelit të pushtetit te tij autoritar. Rezultat i kësaj politike është diskriminimi i skajshëm i shqiptarëve, instalimi i një një sistemi autoritar që shkelë masivisht të drejtat themelore të qytetarit dhe pamundëson integrimin e vendit në BE dhe NATO.

BDI përdhosi ëndërrën e shqiptarëtve për të qenë të barabartë me të tjerët dhe instaloi mendësinë se shqiptarët duhet të jenë vasalë të pushtetit të partive maqedone. Një shqiptar me pak dinjitet njerëzor dhe kombëtarë dhe që beson në vlerat qytetëruese, nuk do të përligjte këtë politikë të prapsht që nënshtron shqiptarët dhe aprovon politikën antidemokratike dhe antievropiane të Gruevskit. Me bindje të thellë dhe përgjegjësi të plotë them se shqiptarët që do votojnë BDI do të pinë gjakun e nipave dhe të stërnipave të tyre ende të palindur. Me dorën e tyre do të nënshkruajnë kapitullimin e shqiptarëve në Maqedoni, nënshtrimin dhe diskriminimin e tyre, dhe instalimin e një sistemi autoritar, i cili saherë që do të ketë nevojë të mbulojë krimet e tij, duke bërë kurban ndonjë shqiptar, siç ishin rastet e Sopotit apo Monstrës, për të shpërqëndruar vëmendjen e njërëzve të zakonshëm. Maqedonëve për t’u dërguar mesazhin se duhet të harrohen skandalet e hajnisë kundër drejtuesve të vendit, por të përqëndrohen në rrezikun shqiptar, ndërsa shqiptarëve për t’ua kujtuar se janë qytetarë të rendit të dytë dhe duhet të jenë të disciplinuar dhe të mos rebelohen duke kërkuar më shumë se sa ju ofron padroni.

BDI nuk mund ta votojë sepse lidershipi i saj janë njerëz mashtues. Emri i kësaj partie simboilizon bashkimin, demokracinë dhe integrimin. Ka njeri që mund të më tregojë nëse shqiptarët e Maqedonisë kanë qenë ndonjëherë më të përçarë se sa sot pas 12 vitesh qeverisje të BDI-së? Në zgjedhje shqiptarët shkojnë pikë e pesë, me shtat-tetë parti duke rrezikuar të humbim të paktën pesë deputet në Kuvend.

Ka pasur ndonjëherë më parë mungesë fryme demokracie se si sot në Maqedoni kur në qeveri për 12 vitesh në vazhdimësi është BDI? Kur pushteti ka instaluar sistemin e njejtë të Stalinit për survejimin masiv të mijëra qytetarëve duke përgjuar komunikimin e tyre. Kur pushteti keqpërdor institucionet e sistemit, siç është drejtësia, administrata, policinë, mediat, për të shkeluar të drejtat elementare të qytetarëve, me të vetmin qëllim ruajtjen me çdo kusht të pushtetit të tyre të korruptuar, antidemokratik dhe antievropian.

Kur ka qenë më larg integrimeve Maqedonia se sot Maqedonia pas 12 vitesh të qenit në qeveri të BDI? Bashkimi Evropian, jo vetëm që nuk mendon për nisjen e bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë, por rishikon vendimin për dhënien e statutit të kandidatit. Çështja e anëtarësimit në NATO, as që diksutohet më.

Kur një njeri racional me pak intelegjencë dhe dinjitet, që beson në vlerat njerezore dhe demokratike i ve para vetës gjithë këto fakte, cfarë përfundimi mund të sjellë për BDI dhe lidershipin e saj, përveç se të konstatojë se bëhet fjalë për një parti mashtuesish dhe intrigantesh. Ftojnë shqiptarët ditën në bashkim, demokraci dhe integrim, ndërsa natën punojnë për përçarjen e shqiptarëve, përdhosin demokracinë dhe pamundësojnë integrimin e vendit në BE dhe NATO.

Faji i tjetër i pafalshëm i BDI është se kjo parti nuk arriti të mbrojë jetët e shqiptarëve nga keqpërdorimet e e pushtetit, i cili duke keqpërdorur shërbimet intelegjente, prokurorinë dhe gjykatat, kurdisi skenare ku shqiptarët viktimizohen dyfish. Njëherë kur akuzohen për vepra që nuk i kanë bërë, dhe herën tjetër, për të nxirë imazhin e tyre si vrasës gjakëftohtë dhe si armiq të përbetuar të fqinjëve të tyre maqedon dhe të shtetit. Te freskëta i kemi rastet e Sopotit, Monstrës dhe të Kumanovës, kur shqiptarët viktimizohen nga establishmenti maqedon për të shpërqëndruar vëmëndjen e opiniot nga keqpërdorimi i pushtetit dhe krimet e tyre. Nëse BDI nuk ishte në gjendje të parandoalonte këto skenare, atëherë duhet të vihen në mbrojtje të viktimave, qoftë edhe duke braktisur qeverinë. Ajo jo vetëm që nuk u vu në mbrojtje të viktimave, por ajo me sjelljen e saj, legjitimojë veprimet e institucioneve.

Faji i tretë i BDI që nuk falet është gjaku i dëshmorëve. Dëshmorët e rënë në vitin 2001 u flijuan për idealin e shqiptarëve për të qenë të të barabartë dhe të zotët e fatit të tyre. BDI dhe Ali Ahmeti e përdhosën këtë gjakë për privilegjet e pushtetit të një vasali dhe për të shmangur përgjegjësisë për fajin për abuzimin me pushtetin nga qeverisja me VMRO. Ahmeti jo vetëm që nuk përbushi premtimin për zgjidhjen e statusit të pjesëtarëve të UÇK-së, por nuk arriti të parandalojë likuidimin e ish pjesëtarëve të UÇK pas mbarimit të konfliktit. Janë dhjetra vrasje të pasqaruara të ish pjesëtarëve të UÇK-së, ndërsa vrasja e fundit e komandant Shqiponjës në mënyrë të drejtpërdrejtë involvon Ahmetin në këtë vrasje. Dorasi i kësaj vrasje është i zgjedhuri i tij për të drejtuar degën e Kumanovës deri sa të mbahen zgjedhjet e rregullta.

Faji i katërt i pafalshëm i BDI dhe Ali Ahmetit është moszyrtarizimi i gjuhës shqipe, e cila është ndër shtyllat kryesore të Marrëveshjes së Ohrit. Për të qenë situata edhe më tragjikomike, BDI njëherë thotë se gjuha shqipe është zyrtarizuar, pastaj e mohojnë. Nëse gjuhën shqipe e paskan zyrtarizuar, atëherë pse BDI si premtim kryesor të këtyre zgjedhjeve ka zyrtarizimin e saj?! Jam i bindur se nëse BDI pas 12 vjetë bashkëqeverisje me parti të ndryshme maqedone, nuk e zyrtarizoi gjuhën shqipe, këtë gjë nuk do ta bëjë edhe sikur t’i jepej mandat ta plotësojë këtë kërkesë të shqiptarëve edhe në 100 vitet e ardhshme. Sepse problemi nuk është se nuk mundet, por se nuk duan. Shihet qartë se prioritet i tyre nuk janë interesat e shqiptarëve, por interesat e ngushta individuale dhe grupore të klaneve partiake.

Faji i pestë i BDI që nuk falët është mosintegrimi i vendit në NATO dhe BE. Kuptohet se kjo çështe nuk zgjidhet pa vullnetin politik të partive maqedone, por BDI kur nuk ushtroi trysni serioze mbi këto parti për të zgjidhur këtë çështje. BDI nuk e kuptoi apo nuk deshi ta kuptojë se çështja e emrit për partitë maqedone është vetëm një gogol për të frikësuar opinionin maqedon, ndërsa qëllimi kryesor është se ato nuk duan të integrojnë vendin në strukturat euroatlantike. BDI duhej ta dije se VMRO dhe LSDM nuk druajnë se me ndryshimin e emrit të shtetit do të humbnin identitetin, por kanë frikë nga standardet evropiane, të cilat do ta shëndronin vendin një vend të lirë dhe demokratik, ku të gjitha bashkësitë do të kishin të drejtat dhe obligimet e njejta para ligjit. Partitë maqedone nuk kanë frikë nga humbja e identitetit, sepse identiteti nuk varet nga emri i shtetit, por kanë frikë nga humbja e pozitës së të privilegjuarit në Maqedoni. Ata ende vazhdojnë vendin ta trajtojnë si shtet ekskluzivisht të maqedonëve, ndërsa të tjerët i trajtojnë si turistë, që duhet të dëbohen. BDI nuk pati këllçe që në një  moment të caktuar të braktiste koalicionin me VMRO për shkak të qëndrimit të tyre refuzues për të zgjidhur çështjen e emrit. Këtë obligim e patën ndaj votuesit shqiptar, të cilit i kishin premtuar integrimin e vendit në NATO. Bile për këtë qëllim publikisht patën deklaruar se kanë flijuar edhe disa çështje me interes për shqiptarët. Kjo do të thotë se ata viktimizuan dyfish shqiptarët dhe prap qëllimi kryesor nuk u arrit.

Faji i gjashtë i pafalshëm i BDI është degradimi i arsimit shqip në të gjitha nivelet. Në vend se në shkollat dhe universitetet shqipe të rinjët të nxënë dije dhe aftësi për sfidat e jetës, ato u shëndruan në sportele për pajisjen e tyre me diploma.  Për të qenë edhe më keq, ky proces u partizua për t’u dhënë diploma aktivistëve të BDI, të cilët duhej të ligjeronn nëpër shkollat dhe universitetet shqipe. Procesi u keqpërdor edhe për punësimin e aktivistëve të pashkollë të partisë në administratën publike, të cilëve u duhej diploma e fakultetit. Në vend se në administratë të punësohen shqiptarët më të zotë, sepse vetëm ata do të mund të përbushin obligimet e detyrës së ngarkuar dhe me dinjitet të përfaqësojnë interesin e shqiptarëve në ato institucione, atje punësohen njerëz të padijshëm, me diploma të dyshimta dhe që tërë ditën enden zyreve të institucioneve gjegjëse dhe kafeneve në qendër të Shkupit, pa prekur punë me dorë dhe pa bërë përvojë pune.  Këtë lloj shqiptarësh duan nacionalistët e VMRO sepse ata me injorancën e tyre s’mund të kontrollojnë punën e tyre dhe të kujdesen për interesin e qytetarëve shqiptar. Përveç kësaj, BDI përdori përfaqësimin në administratë për të rektutuar anëtarë dhe simpatizantë të partisë. Këta njerëz, në çdo cikël zgjedhjesh, shantazhohen vazhdimisht që të animojnë të afërmit dhe miqtë e tyre të votojnë për BDI. Kësaj me fjalë të tjera i thuhet shpërdorim detyre apo korrupsion, të bleshë vota duke shatnazhuar njerëz të administratës.

Faji i shtatë i rëndë i BDI-së është përdhosja e idesë për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në administratën shtetërore dhe publike. Dështimi është i dyfishtë, si nga aspekti sasior ashtu edhe nga ai cilësor. Përqindja e shqiptarëve në administratë edhe 15 vite nga Marrëveshja e Ohrit ende nuk i është afruar 25 përqindshit. Ka institucione që fare nuk duan të dëgjojnë për zbatimin e këtij parimi kushtetues dhe kjo sjellje e nacionalalistëve maqedon mbetet e pandëshkuar nga qeveria. Aspekti tjetër i dështimit të BDI lidhur me përfaqësimin e shqiptarëve në administratë janë punësimet fiktive. Ata pranohen formalisht në punë dhe me vite nuk shpërndahen nëpër sektorë të ndryshëm të administratës. Kjo praktikë fyen shqiptarët sepse i prezenton ato para opinionit si njerëz përtac dhe pa ambicje për të ndërtuar kariera serioze si profesionistë në administratën publike. Kjo sjellje e papërgjegjshme e BDI, u shkon për shtati nacionalistëve maqedon, të cilët përdorin këtë argument për të bindur opinionin e tyre se shqiptarët nuk duan të jenë të barabartë, por të privilegjuar, të rinë në shtëpi dhe të marrin rroga pa prekur punë me dorë.

Faji i tetë i pafalshëm i BDI-së është se nuk krijoi kuadro të aftë shqiptare për drejtimin e shtetit. Shqiptarët nuk duhet të jenë dekor në pushtet dhe administratën shtetërore, por duhet të përgaditen të marrin përgjegjësi për drejtimin me kompetencë resorë të ndryshëm të qeverisjes. Ministrat e partive shqiptare nuk duhet të jenë ministra vetëm për shqiptarët, por duhet  të marrin vendime me kompetencë dhe përgjegjësi për mbarë vendin. BDI duhej ta kuptojë se s’mund të ushtrosh pushtet pa mos pasur administratë të aftë dhe profesionale që zbaton politikat e kreut të qeverisë. Në vend të krijojë kuadro profesionionale, BDI në këto 12 vite të pjesëmarrjes në qeverisje prodhon puthadorë administratorë të partisë, të paaftë, të padijshëm, të cilët verbërisht ndjekin politikat e kreut të partisë. Këta njerëz jo vetëm që nuk u shërbejnë shqiptarëve, por janë shëndruar në instrument për shantazhimin e shqiptarëve. Detyrohen të votojnë partinë shqiptare, e cila tregohet e dëgjueshme ndaj pushtetit të partive maqedone.

Do vijë koha kur partitë maqedone para faktorëve ndërkombëtarë do arsyetohen se mungesa e shqiptarëve nëpër sektor të rëndësishëm të shtetit është për fajin e vetë shqiptarëve sepse ato nuk kanë kuadro adekuat. Ky argument është shumë bindës para evropianëve apo amerikanëve, sepse askush nuk mund të pretendojë të drejtojë ndonjë institucion shtetëror apo publik veçse është shqiptar apo pjesëtarë i ndonjë bashkësie tjetër. Vlerë themelore në demokkracitë e përparuara kur emërojnë drejtues në pozita të larta shtetërore është kompetenca  profesionale e individëve, jo përkatësia etnike apo fetare.

Faji i nëntë i BDI-së që nuk ia falë asnjë njëri i arsyeshëm është instalimi i një sistemi të krimit dhe korrupsionit. Skandali i përgjimeve zbuloi një pjesë të këtyre keqpërdorimeve të pushtetit, ku përfshihen edhe funksionarë të BDI. Edhe më kontravers është projekti Shkupi 2014, për të cilin dyshohet të jetë një sistem përfekt për larje parash.

Dhe faji i dhjetë i BDI është përbuzja që i bëri kontributit të  femrës shqiptare në politikë. Nuk dua të moralizojë me këtë rast, sepse figura publike kudo në botë janë përfshirë dhe do të përfshihen edhe në të ardhmen në skandale seksuale, mirëpo ajo që iriton këtu është keqpërdorimi i skajshëm i pozitës së pushtetit për të shantazhuar femrat shqiptare të pranojnë raporte dashurie me funkasionarë qeveritarë dhe partiak. Dhe e gjithë kjo bëhet në emër të përfaqësimit të femrave në politikë. S’ka gjë më të poshtër se sa të promovosh një vlerë evropiane për përfshirjen e femrës në vendimmarrje, ndërsa këtë ta manipulosh për instikte të ulta shtazarake.

S’kam asgjë personale kundër BDI dhe drejtuesve të saj, por jam shumë kundër politikave të papërgjegjshme dhe paaftësisë së tyre për të përfaqësuar me dinjitet votuesit shqiptar. Prandaj ata meritojnë të dënohen dhe të dërgohen në histori. Kjo do të dëshmonte pjekurinë politike të shqiptarëve të ndëshkojë yullumqarët. Anga ana tjetër, ndëshkimi i BDI-së do të ishte edhe një mësim i mirë për partitë e ardhshme, se do pësojnë fatin e njejtë, nëse sillen në mënyrë të papërgjegjshme në pushtet.