Këtë vit u mbushën një dekadë nga fillimi i aktiviteteve që kanë të bëjnë me mbrojtjen e lumit Drini i Zi. Në përvjetorin e dhjetë morën pjesë komunat në të cilët kalon lumi Drini i Zi siç janë Ohri, Struga dhe Dibra, ndërsa për shkak të pandemisë – në manifestimin qendror që u mbajt në Ohër me përfaqësues të shoqatave joqeveritare edhe nga Dibra, u potencua se mbrojtja e Drinit të Zi ka një domethënie shumë të madhe për rajonin në përgjithësi. Shuip Marku, koordinator i këtij projekti për Komunën e Dibrës, theksoi se qëllimi kryesor i shënimit të Ditës së lumit Drini i Zi është ngritja e vetëdijes tek popullata lokale, por edhe opinionit më të gjerë për rëndësinë e madhe të basenit të lumit Drin dhe mbrojtjen e ekosistemit. Marku tha se patjetër nevojitet një angazhim më i madh për mbrojtjen dhe mirëmbajtjen të lumit Drini i Zi, ndërsa theksoi rëndësinë që ka popullata lokale në këtë drejtim.
“Deri tani, brenda 10 viteve – në Dibër, Strugë dhe Ohër janë mbajtur aktivitete të shumta. Aktivitete kanë qenë të suksesshme dhe si të tilla – pozitivisht kanë ndikuar në mbrojtjen e ujërave të basenit Drini i Zi. Dibranët nëpërmjet angazhimit të tyre kanë dhënë një kontribut të madh në drejtim të mbrojtjes së ujërave në këtë basen. Në Dibër dhe në komunat të tjera që i takojnë këtij baseni janë organizuar tryeza, seminare, dhe aktivitete të tjera me qëllim që Drini i Zi të paraqitet një Lum i cili më nuk do të ketë ndotje”, u shpreh Marku. Në kuadër të shënimit të dhjetë vjetorit të aktiviteteve të para, u hap ekspozita e titulluar “10 vite së bashku për Lumin Drini i Zi”, ndërsa u prezantuan videoregjistrime të shkurtra dhe u promovua edhe një fletushkë në temën në fjalë. Shoqata qytetare “Qendra për Zhvillim të Qëndrueshëm në Dibër”, sipas bashkëbiseduesit tonë, Shuip Marku, dha një kontribut të madh në drejtim të mbrojtjes të ujërave.
“Mbrojtja e Liqenit të Dibrës mundëson që Dibra të zhvillojë turizmin e ujërave, ndërkohë që ne si shoqatë vazhdojmë të monitorojmë situatën në ujërat e liqenit dhe lumenjve Drini i Zi dhe Radika. Jemi kundër ndërtimit të objekteve jolegale në afërsi të bregut të Liqenit. Po ashtu patjetër duhet të ndërtohen edhe kolektorë për mbrojtjen e kualitetit të ujit. Këto probleme janë prezent jo vetëm në Liqenin e Dibrës, por edhe në Liqenin e Ohrit”, tregon Marku dhe shton se një problem shumë akut ka qenë edhe mosfunksionimi i kolektorit në afërsi të Strugës, kurse sa i takon lumit Radikë, për shkak të mos pasjes të sistemeve për pastrim, mbetjet plastike nga fshatrat përfundojnë në lum e më pas edhe në Liqenin e Dibrës. “Ne si partnerë në këto aktivitete, japim një kontribut të madh edhe në drejtim të rritjes së vetëdijes së qytetarëve për të parandaluar dëmtimet në sferën e ekologjisë. Kemi probleme, por kemi edhe shumë suksese. Si aktivistë nuk lejuam ndërtimin e minicentraleve me ujërat e Radikës”, informoi Marku. Në këtë projekt janë kyçur edhe shkollat fillore, shkollat e mesme, institucionet lokale dhe normalisht shoqatat qytetare. (koha.mk)