Të sëmurët nga diabeti janë një nga kategoritë më të rrezikuara nga koronavirusi, por së fundi është vërejtur se diabeti ëshët shfaqur për herë të parë pas infektimit.

Kreu i shoqatës së diabetit në Shqipëri, Florian Toti thotë se ende nuk është e qartë nëse shfaqja e këtij shqetësimi shëndetësor vjen prej virusit, apo prej stresit të shkaktuar nga infektimi.

“Diabet që shfaqet ose shpërthen në momentin e diagnostikimit me Covid-19 dhe për të cilin janë duke u bërë studime për të kuptuar është vetë ky virus që e shkakton diabetin, apo është gjendja e stresit të infeksionit i cili bën të shfaqet një diabet që ishte i fshehur deri në atë moment,” tha ai.

Si ndër më të rrezikuarit nga koronavirusi duhet të bëhet kujdes më përdorimin e kortizonëve, thotë mjeku Toti, të cilat rrisin nivelin e sheqerit.

Në këto kushte duhet të ketë edhe një protokoll më specifik për këta pacientë.

“Përdorimi i kortizonëve që është bërë pjesë e terapisë së personave të prekur nga covid, sjell një përkeqësim të vlerave të diabetit. Kjo kërkon një trajtim më specifik, shpesh edhe trajtimin me insulinë,” thotë mjeku.

Megjithëse janë cilësuar si më të rrezikuarit, nga sistemet shëndetësore nuk japin të dhëna se sa prej të infektuarve janë me diabet e sa prej tyre kanë humbur jetën.

E vetmja shifër është ajo e muajit tetor, kur 30% e rasteve të reja të të infektuarve ishin diabetik.

Për të gjithë këta pacientë mjekët këshillojnë të mbajnë nën kontroll diabetin në mënyrë që ta kurohen më lehtë dhe më shpejtë.