Zëvendëskryeministri për çështje evropiane Nikolla Dimitrov në ditën e dytë të Forumit ekonomik, Delfi në Athinë, në panel diskutimin me eurokomisarin Oliver Varheji theksoi se fillimi i negociatave me Maqedoninë është test për BE-në që zgjat shumë gjatë dhe mendon se qeveria teknike nuk guxon të jetë pengesë për vazhdimin e negociatave me Bullgarinë. Mendoj se pas kësaj ne nuk e kemi luksin për të pritur, tha Dimitrov.

“Investimi i BE-së është i madh për shkak se premtimi u dha dhe nëse nuk mbahet ky premtim, kjo do të sjellë një mesazh shumë negativ. Mendoj se pas kësaj ne nuk e kemi luksin që të themi se do të presim”, deklaroi Dimitrov.

Edhe pse para disa javësh, eurokomisari Varheji e prezantoi idenë për ndarjen e pakos negociuese të Maqedonisë dhe Shqipërisë, ai gjatë fjalimit të tij në forumin Delfi tha se ky opsion nuk është në lojë. Ai tha se është i lumtur që vendet anëtare të BE-së kanë vlerësuar se të dy vendet duhet t’i fillojnë negociatat, por theksoi se duhet të ketë pëlqim prej të gjithëve.

“Shpresoj se në qershor do të mundemi të kemi pëlqim për të dy vendet. Por duhet të dini se nevojitet që të gjitha vendet të pajtohen. Po punojmë në këtë për momentin, që të marrim pëlqim nga të gjitha anëtaret për të dy vendet”, deklaroi eurokomisari Varheji.

E derisa zgjat forumi në Athinë, ministri i jashtëm Bujar Osmani u takua me negociuesin kryesor të Shqipërisë me BE-në, Zef Mazi.

“Anëtarësimi i vendeve tona, në këtë rast, Shqipëria, nuk duhet të ndalet, duhet të përshpejtohet, për Shqipërinë por edhe për Maqedoninë e Veriut, të mos ketë vonesa shtesë. Vonesat në fakt na bëjnë humbës”, u shpreh Mazi.

“Samitet verore të BE-së janë mundësi e papërsëritshme që BE-ja ta tregojë kredibilitetin e procesit të zgjerimit duke e ruajtur idenë evropiane si motor kryesor të ndryshimeve pozitive në rajon”, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

Osmani njoftoi se i ka uruar ministrit të ri të jashtëm të qeverisë teknike të Bullgarisë me qëllim që sa më shpejt të zhvillohet takimi i Komisionit ndërqeveritar për dinamikë shtesë të bashkëpunimit mes dy vendeve. Ai tha se pret që javën e ardhshme të ketë takime dhe biseda për çështjet e hapura që i imponoi Bullgaria.