Gjermania mbetet në qëndrimin se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria meritojnë datën për fillim të negociatave anëtarësuese me BE-në, pavarësisht ndryshimeve të inicuara nga Franca e që pritet të ndodhin në metodologjinë e anëtarësimit. Ministri i jashtëm gjerman, Haiko Mas inkurajoi vendin të vazhdojë me reformat në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe kthimin e shtetit të së drejtës, duke siguruar se për këtë ka mbështetjen dhe ndihmën e plotë të Berlinit. Ndërkaq Ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov duke argumentuar se BE-ja nuk guxon të neglizhojë vendin pas kompromiseve të bëra, rithekson se pavarësisht fqinjësisë së mirë që ka Maqedonia e Veriut me Shqipërinë, kur bëhet fjalë për anëtarësimin në BE, është më mirë që secili shtet të vlerësohet ndaras, në bazë të meritave të veta.

Askush në BE nuk e konteston perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut. Tani mbetet ta shfrytëzojmë ndihmën për Maqedoninë e Veriut dhe për të ardhmen. Këtu bën pjesë edhe ndihma jonë bilaterale që duam ta zgjerojmë. Porosia jonë është e qartë: na lejoni së bashku të ecim në këtë rrugë! Ju qëndrojmë në dispozicion- deklaroi Haiko Mas, Ministër i Jashtëm i Gjermanisë.

Parimi bazë në procesin e anëtarësimit është: secili sipas arritjeve në reforma. Nëse i grupojmë vendosim shtetet në paketë dhe i bëjmë të varura nga diçka që nuk është në kontroll të tyre atëherë humb logjika e anëtarësimit. Si fqinjë të mirë kemi interes që edhe Shqipëria dhe fqinjët tjerë të shkojnë përpara, por gjithashtu vlerësojmë se secili shtet duhet të vlerësohet veçmas- tha Nikolla Dimitrov, Ministër i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut.