Dinamo Zagreb ka shkaktuar befasinë më të këndshme në 1/8 e finales në Ligën e Evropës.
Gjiganti kroat ka eliminuar nga Liga e Evropës Tottenham Hotspurin e Jose Mourinhos.

Spurs kishin fituar në ndeshjen e parë me rezultat të pastër 2-0, por që kjo epërsi e tyre u shkri nga kroatët.
Pjesa e parë ka përfunduar pa gola në Maksimir, derisa në të dytën vendasit arritën të shënonin me Mislav Orsic në minutën e 62-të për 1-0.

Shtatë minuta para fundit të ndeshjes, sulmuesi kroat Orsic shënoi edhe golin e dytë.

Kësisoj 90 minutat e kohës së rregull përfunduan me epërsi të dy golave të vendasve dhe ekipet shkuan në lojën shtesë.

Gjiganti kroat bëri ndeshje të madhe edhe në minutat shtesë, derisa në minutën e 106-të, Orsic shënoi një tjetër gol për ta kompletuar het-trickun e tij 3-0.

Spurs u munduan të shënonin gol, por nuk ia dolën të thyenin mbrojtjen e vendasve të cilët shkaktuan befasinë më të madhe në Ligën e Evropës.

Kësisoj Liga e Evropës tani mbetet pa njërën nga skuadrat pretendente për ta fituar atë si Spurs, derisa Dinamo do të mbetet gjatë në mendjen e Jose Mourinhos.