Ish-anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin amerikan Joe DioGuardi mbetet entuziast për epokën e re të marrëdhënieve të SHBA-së me shqiptarët në Ballkan, pas vendosjes së administratës së Trump. DioGuardi, në një intervistë ekskluzive për Vizion Plus, pas ceremonisë së betimit të Presidentit Trump, i mëshon tezës së tij se vetëm përmes një pune të madhe me anë të Kongresit, mund të arrihet që kreu i ri i Shtëpisë së Bardhë të njihet me çështjen shqiptare në Ballkan.

“Trump është Presidenti, por ai nuk është njeriu që do të shqetësohet që në këtë moment, për politikat e jashtme që kanë të bëjnë me shqiptarët. Ai do të dëgjojë për këto çështje nga njerëzit në Kongres dhe nga miqtë tanë.”

DioGuardi jep edhe lajmin se në duart e kryetarit të Nënkomitetit për Punë të Jashtme për Europën, në Dhomën e Përfaqësuesve Dana Rohrabacher, është një letër që së shpejti do t’u drejtohet autoriteteve serbe ku dënohet arrestimi i Haradinajt dhe fletëarrestet e vjetra që i janë dhënë Interpolit nga Beogradi. E ndërsa premton se së shpejti, në bashkëpunim me Rohrabacher, do të mbahet një seancë dëgjimore në këtë komitet për shqiptarët.

“Ne kemi rënë dakord me të që të mbajmë një seancë dëgjimore këtu në Komitetin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve për t’u siguruar se zëri i të gjithë shqiptarëve që gjenden në Europën Juglindore, të paktën të dëgjohet në Kongres. Pra për të punuar që pavarësia e Kosovës të mbahet fort, Shqipëria të mbahet vend demokratik dhe që zgjedhjet që patëm në Maqedoni, të gjykohen me drejtësi, në mënyrë që shqiptarët të përfitojnë të drejta të barabarta.”

Ndërsa bashkëshortja e tij, Shirley Cloyes DioGuardi, eksperte e çështjeve të Ballkanit, sheh një dritë pozitive edhe në rast se do të ketë një përmirësim të ndjeshëm në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Rusisë, me vendosjen e administratës së re amerikane.

“Ka pasur një shqetësim në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, se shqiptarët janë nën kërcënim, si pasojë e marrëdhënieve të reja të mundshme mes SHBA-së dhe Rusisë, për shkak të lidhjeve të biznesit që mund të ketë pasur Trump me rusët dhe që gjithashtu njeh Vladimir Putin. Mendoj se tanimë jemi në pozicione të ndryshme. Ai i ka pasur ato lidhje, por ne nuk mund të hamendësojmë se boshti historik mes Rusisë, Serbisë dhe Greqisë do të lulëzojë për shkak të kësaj. Përkundrazi, unë mendoj se do të jetë një moment i ri, kur ne mund të shkojmë tek anëtarët e Kongresit që e njohin shumë mirë presidentin e ri dhe ta përdorim atë lidhje të fortë me Rusinë që të ballafaqojmë Serbinë për sjelljet e saj.”

Megjithatë, zonja Cloyes DioGuardi paralajmëron shqiptarët kudo në botë se duhet të jenë shumë më aktivë për të drejtat e tyre dhe se nuk duhet të presin që Amerika të kujdeset për ta dhe ata të mos bëjnë asgjë.