Shirley Cloyes DioGuardi, ekspertja e çështjeve ballkanike nga LQSHA para kongresmenëve në Kongresin Amerikan solli faktet se si shqiptarët në Maqedoni, ndonëse janë në numër të madh si komunitet, me rreth 30 të popullatës së përgjithshme, ende nuk gëzojnë të drejta të plota, siç është ajo e përdorimit të gjuhës, apo trajtimit të tyre si qytetarë të dorës së dytë.

Duke vënë theksin te paefektshmëria e Marrëveshjes së Dejtonit, e cila zgjidhi luftën në Bosnje por nuk arriti të zgjidhë konfliktin në Ballkan, zonja Cloyes DioGuardi shprehu qëndrimin se SHBA duhet me patjetër që të fokusohet së pari në çështjen e Maqedonisë, informon INA.

“Maqedonia është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor ku asnjë grup etnik nuk ka shumicë të vërtetë. Por dështimi i vazhdueshëm për të respektuar të drejtat e njeriut dhe ato civile për të gjitha këto grupe etnike në Maqedoni, solli edhe konfliktin e armatosur të vitit 2001. Për t’i dhënë fund këtij konflikti, Bashkimi Europian dhe SHBA hyri në negociata me maqedonasit dhe shqiptarët gjë që çoi në Marrëveshjen e Ohrit. Kjo marrëveshje supozohej që të sillte përfaqësim të barabartë të të gjitha grupeve kombëtare në administratën shtetërore, si dhe shpërndarje të barabartë të burimeve ekonomike. 17 vite më vonë, dispozitat që kanë të bëjnë me drejtësinë, përforcimin e shtetit ligjor, ushtrinë, shërbimin inteligjent, së bashku me decentralizimin fiskal, mbeten ende për t’u zbatuar.”, tha zonja Cloyes DioGuardi në dëshminë e saj si pjesë e panelit përpara kongresmenëve amerikanë.

Duke shpjeguar historikun e votimeve në Parlament për miratimin e gjuhës shqipe, si dhe platformën e shqiptarëve, ajo vazhdoi duke thënë se: “Edhe një herë, arritja e barazisë etnike në Maqedoni është në rrezik. Në janar të vitit 2018, Parlamenti i Maqedonisë miratoi dy herë ligjin që e bën gjuhën shqipe gjuhë të dytë zyrtare, sipas marrëveshjes së arritur mes partisë LSDM të kryeministrit Zoran Zaev dhe partive shqiptare. Megjithatë, Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov vendosi veton në të dyja rastet, duke pretenduar se miratimi i një gjuhe të dytë zyrtare do të kërcënonte sovranitetin e Maqedonisë, unitetin dhe integritetin territorial të saj. Kushtetuta e Maqedonisë sanksionon kalimin e ligjit me dy të tretat e votave në Parlament, gjë që ende nuk ka ndodhur. Çështja e dytë më e rëndësishme e platformës së shqiptarëve është decentralizimi i buxhetit fiskal. Dhënia fund e diskriminimit ndaj shqiptarëve, duke u garantuar mundësi të njëjta ekonomike dhe mundësi rritjeje sociale zonave me shumicë shqiptare, do të çojë në një reduktim të ndjeshëm të mundësisë për një konflikt në të ardhmen. Çështja është nëse SHBA dhe Bashkimi Europian do të ndërhyjnë për të negociuar një plan për arritjen e barazisë mes maqedonasve dhe shqiptarëve përpara se Maqedonia të pranohet në NATO.”