Djali më i madh i ish-liderit të Kubës, Fidel Kastro, Diaz-Balart, i cili ka punuar si fizikan bërthamor, kreu vetëvrasje në moshën 68-vjeçare.

Mediumet kubaneze lajmërojnë se ai me muaj është mjekuar nga depresioni.

Në opinion ka qenë i njohur si Fidelito apo Fideli i vogël, për shkak të ngjashmërisë së madhe me babain e tij të ndjerë Fidel Kastro, transmeton MIA.

Djali i Kastros studioi në BRSS dhe ishte poliglot. Ka qenë në krye të programit bërthamor të Kubës në periudhën 1980-1992, derisa babai i tij nuk e shkarkoi nga ai funksion. pas shpërbërjes së BRSS-së programi është ndërprerë dhe Fidelito u tërhoq nga opinioni.

Fidelito ka punuar si këshilltar shkencor në këshillin shtetëror kubanez dhe nënkryetar i Akademisë kubaneze të shkencave. Gjatë qëndrimit në BRSS u martua me rusen Natasha Smirnova me të cilën ka tre fëmijë, por ajo martesë nuk zgjati dhe Fidelito iu kthye shkencës. Asnjëherë nuk ka pasur ambicie politike edhe pse shumica kanë pritur që ta trashëgojë Fidelin, i cili vdiq në nëntor të vitit 2016.

Në Kubë ekzistojnë spekulime të shumta se Fidelito Kastro është vetëvrarë jo vetëm për shkak të depresionit, por edhe për shkak të zhgënjimit nga vendimet e Raul Kastros prej të cilave, gjoja, janë zhgënjyer edhe bashkëpunëtorë të afërt të Kastros.

Disa njerëz të rëndësishëm rreth Fidel Kastros gjatë viteve të kaluara kryen vetëvrasje.