Ndërmarrja Publike “Higjiena Komunale” – Shkup, do të tentojë të rrit sanksionet ndaj personave juridik dhe fizik të cilët për çdo vit e dëmtojnë këtë ndërmarrje me mijëra euro duke djegur kontejnerët e plastikës.

Drejtori i ndërmarrjes, Rakip Doçim, për gazetën KOHA ka theksuar se nga 50 deri më 500 euro shkojnë dënimet ndaj personave fizik dhe juridik që djegin kontejnerët e ndërmarrjes, megjithëse deri më tani, asnjë gjobë nuk është shqiptuar. “Djegia e kontejnerëve ndodh si rezultat i pakujdesisë së personave juridik të cilët përdorin zjarrin në restorantet e tyre dhe kur e largojnë prushin e vendosin në kontejner. Apeloj te kjo kategori e personave të cilët bëjnë djegien e kontejnerëve prej plastike që ta ndërpresin këtë dukuri për arsye se me këtë jo vetëm që i shkaktojnë dëm material ndërmarrjes publike, por edhe qytetarëve sepse qytetarët tani më ju zvogëlohet kapaciteti se ku duhet ta vendosin mbeturinën komunale”, tha Doçi.

Nëse kapet një person juridik duke djegur kontejnerët – sanksionohet deri në 500 euro, ndërsa personi fizik deri 50 euro. “Apeloj tek inspektoratet e ndryshme, si ato të qytetit dhe komunave përkatëse, tek policia dhe inspektorët tjerë komunal, që të sanksionojnë kryerësit e këtyre veprave. Nëse është fjala për person juridik për djegie të kontejnerëve dënimi është 500 euro, megjithatë për fat të keq deri tash askush nuk dënohet. Personat fizik dënohen për 50 euro, ndërsa këto dënime duhet të rriten do të thotë janë të vogla”, njofton Doçi.