Gazeta Dnevnik shkruan se në internet është paraqitur një “bombë” e re, por tani për kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçi. Në këtë  incizim, Thaçi bisedon me gazetaren e njohur maqedonase, Olivera Trajkovska.

“Pas vetëm katër ditëve nga paralajmërimi se do të publikohen incizime të reja të bisedave të përgjuara, në rrjetet sociale ka ndodhur skandal i ri, ndaj të cilit nuk reagon as MPB as PSP. Prej pardje, në disa faqe në facebook mund të dëgjohen disa biseda të liderit të PDSH-së opozitare, Menduh Thaçi dhe gazetares Olivera Trajkovska. Bëhet fjalë për tri biseda të cilat janë incizuar në mënyrë joligjore para zgjedhjeve të kaluara, kurse tani janë publikuar në faqen e facebook-ut Opozita Shqiptare e Maqedonisë dhe në Lirim Ilirida.

Nuk dihet se kush i ka publikuar këto biseda. Mirëpo në këtë rrjet social mund të vërehet se faqja e facebook-ut Opozita Shqiptare e Maqedonisë është me datë më të vjetër dhe se ka madje 28.645 fansa. Në këtë faqe, përskaj emrit të saj mund të vërehet edhe shkresa se është kundër Maqedonisë.

Incizimet e reja janë paraqitur edhe përkundër dënimeve deri me 5 vite që i kanosen sipas ligjit të ri, atyre që publikojnë incizime”, shkruan Dnevnik.

Gazeta Dnevnik kritikon ministrin Oliver Spasovski dhe Prokurorinë Speciale Publike se nuk po ndërmerr masat e nevojshme për të penguar publikimin e bombave./lajmpress.com