Memorandumi ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Serbisë u nënshkrua nga ministri serb për punë të brendshme, Bratisllav Gashiq dhe homologu nga Maqedonia e Veriut, Oliver Spasovski, transmeton Portalb.mk.

“Memorandum i cili u nënshkrua menjëherë në mbledhje plenare të Qeverive të të dy vendeve, do të lehtësojë lëvizjen e njerëzve dhe mallrave përmes kufirit shtetëror, posaçërisht përmes Pikëkalimit Kufitar Tabanoc-Preshevë, për zvogëlimin e turmës në pikëkalimin kufitar gjatë sezonit turistik, e që është në interes të qytetarëve e të dy vendeve si dhe të gjithë atyre që i shfrytëzojnë pikëkalimet kufitare ndërmjet Republikës së Maqedonisës së Veriut dhe Republikës së Serbisë”, vlerësoi Ministria për Punë të Brendshme në Maqedoninë e Veriut.

Ministri i punëve të brendshme në Maqedoninë e Veriut realizoi vizitë zyrtare me kabinetin qeveritar në Serbi, ndërsa nënshkrimin e këtij Memorandumi e paraqitën si një kapitull të ri për bashkëpunim rajonal.

Ndryshe, Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e 29 marsit e miratoi tekstin e këtij Memorandumi që lehtëson lëvizjen e mallrave dhe njerëzve në pikën kufitare Preshevë – Tabanoc, ndërsa në seancën e 14 marsit, miratoi ndryshimet ligjore që planifikojnë lëvizjen e lirë kufitare vetëm me letërnjoftime me vendet nga Ballkani Perëndimor (Shqipëri, Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë, Mal të Zi dhe Serbi).