Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do ta menaxhojnë bashkërisht trashëgiminë natyrore dhe kulturore në rajonin e Ohrit, ka njoftuar qeveria, transmeton Plusinfo.

Ministri Edmond Ademi dje, si kryetar i Komisionit kombëtar për UNESCO,  u takua në Tiranë me Ministren e kulturës Elva Margariti dhe Ministrin e mjedisit Blendi Klosi dhe ranë dakord për të ngritur një organ ndërshtetëror për menaxhim të përbashkët të trashëgimisë natyrore dhe kulturore të rajonit të Ohrit.

“Ministrat e riafirmuan vendosmërinë e dy vendeve miqësore, fqinje për të përmbushur rekomandimet e UNESCO-s për të ruajtur trashëgiminë tonë botërore në afat të gjatë. Ministri Ademi u takua edhe me përfaqësues të Ministrisë së punëve të jashtme. Në mbledhje u konkludua se do të vijojë themelimi formal i komisionit të përbashkët. Në këtë kontekst, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria po e intensifikojnë bashkëpunimin në nivelin politik dhe të ekspertëve dhe së bashku do të marrin vendime për ruajtjen e vlerave të jashtëzakonshme universale të trashëgimisë natyrore dhe kulturore në rajonin e Ohrit”, njoftojnë nga Qeveria.