Përderisa e gjithë vëmendja e publikut aktualisht është e përqendruar te marrëveshja evropiane dhe pranimi i mundshëm i Kosovës në Kombet e Bashkuara, sipas një dokumenti të diplomatëve evropianë, nëse tani Serbia e shmang anëtarësimin e Kosovës në OKB, që interpretohet si njohje joformale e Kosovës, pas disa vitesh pritet që Serbia ta bëjë këtë zyrtarisht, shkruan Nova.rs.

Fjalia që përshkon pothuajse në mënyrë të padukshme tekstin e dokumentit, i cili buron nga kuzhina e diplomatëve evropianë që punojnë në zbatimin e Marrëveshjes Evropiane, është se njohja reciproke e Serbisë dhe Kosovës do të ndodhë me hyrjen e tyre në Bashkimin Evropian.

Në pjesën ku krahasohet propozimi evropian për Kosovën me modelin e dy Gjermanive, thuhet:

“Republika Federale e Gjermanisë nuk e ka njohur kurrë Republikën Demokratike Gjermane dhe anasjelltas. Megjithatë, Traktati Themelor i vitit 1972 bëri të mundur që dy Gjermanitë të pranonin realitetin e ekzistencës së tjetrës. Kjo gjithashtu u mundësoi vendeve perëndimore të zhvillojnë marrëdhënie me RDGJ. Nëse Serbia dhe Kosova vazhdojnë me vendosmërinë e tyre për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, së shpejti do të ndodhë normalizimi i plotë përmes njohjes reciproke. Tani për tani, bashkëjetesa përmes bashkëpunimit dhe marrëdhënieve paqësore, pavarësisht dallimeve, është e vetmja gjë që bashkësia ndërkombëtare kërkon nga Serbia dhe Kosova”.

Me këtë rast, analisti i politikës së jashtme, Boshko Jakshiq, tha për Nova.rs se për të gjithë është e qartë se kjo është rruga, por që nuk do të ndodhë me vite.

“Realisht, edhe Serbia edhe Kosova janë larg anëtarësimit në BE. Pra, diplomatët evropianë padyshim po japin kohë të mjaftueshme që situata të qetësohet. Tani vetëm po thuhet meqë ra fjala, por nuk është nën presion për momentin. Është, pra, çështje vitesh, çka i bën lëshim edhe Beogradit edhe Prishtinës që ta “gëlltisin” më lehtë këtë marrëveshje. Dhe ajo që kemi pasur rastin të shohim tani është e shkruar diplomatikisht me shumë mjeshtëri. Vlera më e madhe e këtij dokumenti është se tregoi se Perëndimi është shumë i përkushtuar ndaj problemit të Kosovës”, përfundon Jakshiqi, përcjell GazetaBlic.