Ambasadori gjerman Anke Holshtajn i dorëzoi sot makina për frymëmarrje “Dreger” ministrit të Shëndetësisë Venko Filipçe, donacion nga Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë për Ministrinë e Shëndetësisë si mbështetje për klinikat e Maqedonisë. Vlera totale e këtij donacioni është 233 mijë euro, ndërsa u implementua përmes Agjencisë Federale Gjermane për Mbrojtjen Civile.

“Më vjen mirë që pajisjet mjekësore vijnë në kohën e duhur kur është e nevojshme ndihmë. Ky donacion është me iniciativë nga Qeveria Federale gjatë Presidencës Gjermane me Këshillin e BE-së për t’i ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor në pandeminë e Kovid-19. Duke e pasur parasysh situatën aktuale, theksi kryesor i Presidencës sonë është ballafaqimi me pandeminë dhe pasojat e saj”, deklaroi ambasadori Holshtajn pas dorëzimit të donacionit në Klinikën për Sëmundje Infektive në Shkup.

Këtu në rajonin e Ballkanit Perëndimor, theksoi, duam të tregojmë se partnerët tanë mund të mbështeten tek ne në luftën me pandeminë.

“Gjermania deri më tani e ka mbështetur rajonin me 15 milionë euro. Përveç kësaj, BE po ndihmon me 3.3 miliardë euro, në të cilat Gjermania merr pjesë me pothuajse një të tretën”, tha Holshtajn.

Duke u falënderuar për donacionin e rëndësishëm për sistemin tonë shëndetësor, Ministri Filipçe theksoi se Gjermania ka dëshmuar gjatë gjithë së kaluarës se është, siç tha ai, partneri ynë më i madh në procesin e integrimit evropian, por edhe në mbështetjen e sistemit shëndetësor në këtë krizë shëndetësore e cila praktikisht e përfshiu gjithë botën.

“Që në fillim të krizës, ata dhuruan një sasi serioze të pajisjeve mbrojtëse që u shpërndanë në institucionet shëndetësore publike, ndërsa me këtë donacion të tetë makinave të frymëmarrjes që janë shpërndarë në njësitë e kujdesit intensiv në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në Shkup dhe SPQ “8 Shtatori”, ku mjekohen pacientët me Kovid-19, cilësia e trajtimit për pacientët tanë po rritet dukshëm,” tha Filipçe.

Kjo pajisje shtesë, shtoi ai, është praktikisht një pjesë serioze e pajisjeve të çdo njësie të kujdesit intensiv.