Nuk duhet të kemi rrugë të ndryshme”
 
Donald Trump ka bërë me dije se ka marrë një letër nga presidenti i Rusisë Vladimir Putin. Vetë presidenti i zgjedhur amerikan njofton se në letër Putin kërkon që mardhëniet mes dy vendeve të përmirësohen. I të njëjtit mendim është dhe Trump.

Donald Trump ka marrë, atë që e ka cilësuar si një “letër shumë të bukur” nga presidenti rus, Vladimir Putin. Këtë e ka konfirmuar vetë presidenti i zgejdhur amerikan në një deklaratë të shpërndarë për mediat. Në letër Putin i uron Trump që të ketë një përmirësim të bashkëpunimit mes dy vendeve.
“Një sërë sfidash globale dhe rajonale, që vendet tona janë përballur viteve të fundit, tregojnë se mardhëniet mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara mbeten një faktor i rëndësishëm në konfirmimin e stabilitetit dhe sigurisë në botën modern”, ka shkruar Putin. “Shpresoj që kur të marrësh pozicionin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, duke vepruar në mënyrë konstruktive dhe pragmatike, të ndërmarrim hapa realë për të thelluar bashkëpunimin bilateral në fusha të ndryshme. Shpresoj që të çojmë bashkëpunimin tonë në skenën ndërkombëtare dhe në nivele të reja cilësore”, thekson në letër presidenti rus.
“E mendon shumë drejtë”, thotë Trump duke komentuar letrën. “Shpresoj që të dy palët të jenë në gjendje të zbatojnë këto propozime dhe që të mos gjendemi në rrugë të ndryshme”, shton presidenti i zgjedhur Amerikan.
Duke parë mendimin pozitiv të Trump ndaj Putin, Rusia shpreson që të ketë mardhënie shumë të mira me Shtetet e Bashkuara. Ndërsa politikanët amerikanë e shohin me skepticizëm këtë sjellje të presidentit të zgjedhur, pasi dyshojnë se Trump mund të manipulohet nga presidenti rus.