Pas lajmit për ndryshim sërish në kreun e kadastrës së Vlorës ka reaguar edhe ish deputetja e Partisë Demokratike Nada Meçorapaj.

Në një postim në facebook ajo shkruan se “dorëheqja e gjashtë në Kadastrën e Vlorës është dëshmia më e pakundërshtueshme se Shqipëria nuk ka qeveri për qytetarët, por një bandë që lufton me një bandë tjetër për të grabitur bregdetin dhe pasuritë e tjera”.

Ja potimi i plotë

Dorëheqja e gjashtë në Kadastrën e Vlorës është dëshmia më e pakundërshtueshme se Shqipëria nuk ka qeveri për qytetarët, por një bandë që lufton me një bandë tjetër për të grabitur bregdetin dhe pasuritë e tjera.

Vizitat qesharake blic të Erion Braçes dhe urdhrat e pavlerë politikë të Edi Ramës për t’i falur bregdetin e Jalit mikut të tij, kanë përfunduar në koshin e plehrave.

Nëse Edi Rama do të kishte harxhuar kaq shumë kohë dhe energji jo për të grabitur prona, por për problemet e vërteta të qytetarëve, sot nuk do të ishin në prag falimentimi me mijëra biznese.

As i shtati i komanduar sot në Vlorë nuk ka për të zgjatur, sepse askush nuk është i gatshëm te shkojë në burg për të bërë Edi Ramën pronar të paligjshëm edhe të bregdetit të Jalit.