Lulzim Basha jep dorëheqjen si kryetar i Partisë Demokratike.
Vendimi i Bashës ka ardhur pasi mblodhi pasditen e sotme në selinë blu, Grupin Parlamentar, Kryesinë dhe Kolegjin e Kryetarëve.
Gjatë fjalës së tij, Basha theksoi se po bën këtë hap pas për të bashkuar Partinë Demokratike.
“25 prilli ishte një goditje e rëndë për demokratët dhe për shqiptarët, masakra zgjedhore ndali ndryshimin me 25 prill.
Shpresa për tu ringritur ka marrë për fat te keq prej goditje të njëpasnjëshme. Personalisht investova gjithçka për nje zgjidhje që do t’i shërbente edhe Partisë Demokratike edhe transparencës. Kush kishte të drejtë e kush ishte gabim, jam i bindur se do ta qartësojë koha. Fatkeqësisht, përpjekja ime për ta mbajtur PD të bashkuar nuk arriti sukses. Unë dhe shume demokratë u përballëm me një fushatë sulmesh te paparimta dhe te pavërteta e si rezultat sot Partia Demokratike po përjeton një krizë të thellë.
Për këtë arsye dhe për të ndihmuar demokratët të lënë mënjanë ndasitë joparimore, kam vendosur të hedh një hap pas duke u dorëhequr nga detyra e kryetarit të PD, i vendosur për të ndihmuar për ringritjen dhe bashkimin e demokratëve. Kjo nuk është një tërheqje, por një nxitje më shumë që betejën tonë për një PD të së ardhmes ta bëjmë të gjithë bashkë të zhveshur nga çdo shpifje se kjo që ka ndodhur për karrigen e kryetarit. Unë jam dhe do jem tërësisht i angazhuar krah jush, do bëj gjithçka qe t’i japin forcë vizionit tonë për një Parti
Demokratike që zgjedh të ardhmen.
Kjo do të thotë se unë do të vazhdoj pareshtur e pa u lëkundur të punoj per këtë ringritje të Partisë Demokratike rreth vlerave, parimeve dhe standardeve tona si demokratë. Ka nevojë që të nisë sa më parë një proces vetëdijësimi, analize dhe përbashkimi parimor më pas një procesi zgjedhor i hapur, transparent, i lirë dhe i drejtë, nga baza në qendër i gjithë lidershipit të PD.
Demokratët janë të lodhur nga konflikti i brendshëm, nga fushatat dhe gjuha denigruese, nga e cila dëmtohet PD dhe Shqipëria dhe përfiton vetëm Edi Rama dhe klika e tij. Shqipëria meriton dhe do të ketë një PD të fortë, parimore, në krah të interesit qytetar dhe kombëtar dhe të aleatëve strategjikë,
Siguroj të gjithë demokratët, simpatizantët, mbështetësit, dhe votuesit tanë se këtë hap e hedh në funksion të shërimit të plagëve të hapura padrejtësisht në zemrat e demokratëve. Me vendosmërinë e pathyeshme për të vazhduar betejën me dhe për demokratët, me dhe për Partinë Demokratike, si e vetmja shpresë për shqiptarët, për të mundur të keqen dhe për të ardhmen e Shqipërisë”, tha Basha.