Ali Ahmeti jo më larg se para tre ditëve  në mbledhjene Këshillit të Përgjithshëm të BDI-së , në Shkup ishte kategorik kundër prolongimit të datës së zgjedhjeve, dhe ishte në sinkronizim të plotë me qëndrimet e VMRO-së, mirpo  me sa duket sot ka ndryshuar qëndrim pasi që edhe vet VMRO-ja gjatë ditës së djeshme la hapsirë për një rinegocim të datës sëzgjedhjeve.  

 

Data e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare mund të shtyhet vetëm nëse arrihet një marrëveshje e re politike. Kështu vlerëson kreu i BDI-së Ali Ahmeti. Ai tha se me rëndësi është që zgjedhjet të jenë të lira dhe të pranueshme nga të gjitha palët.

“Për tu ndërruar data sigurisht që duhet përsëri një vendim konsensual i të gjitha partive politike në vend. Ne kemi dhënë arsyet tona se për çfarë arsye nuk duhet të bisedohet edhe njëherë marrëveshja e arritur më 2 Qershor dhe 15 Korrik. Ne duam që sa më shpejt t’i jepet fund kësaj amullie, këtij ngërçi politik që ka përfshirë vendin. Nëse ka pasur deri më tani zgjedhje të kontrolluara, zgjedhje më të kontrolluara në vend do të jenë këto tani, prej institucioneve ndërkombëtare dhe prej forcave politike në vend”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së

Ahmeti tha se BDI do të angazhohet në maksimum në mbylljen e dy çështjeve të pazgjidhura, pastrimi i listës dhe mediat.

“Jemi të interesuar që në vend të ketë një ligj sipas standardeve evropiane mbi veprimtarinë e lirë dhe të pavarur të mediave pasi nuk është në interes as politik e as strategjik i BDI-së për censurë apo për të pasur një medium i cili do të ishte zëdhënës i një partie politike”, deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Ahmeti kërkoi nga opozita që të respektojë marrëveshjen e Përzhinës dhe të mos bojkotojë dhe as të tërhiqet nga përgjegjësitë që ka marrë. Ahmeti këto komente i bëri pas takimit me zv/presidentin e IRI-t Tomas Garet dhe me drejtorin e këtij instituti për Evropën Jan Surocak.