Një pjesë e madhe e partive shqiptare dhe organizatave jo qeveritare në Maqedonisë mbështesin protestën e nesërme para qeverisë së Maqedonisë, me moton: Drejtësi për Almirin.

Lideri i ASH-së, Ziadin Sela apeloi tek të gjithë qytetarët e vendit që të bëhen pjesë e kësaj proteste, që ky rast të ketë epilog te drejtë gjyqësor dhe vrasësi sa më shpejt të marrë verdiktin e merituar.

“Aleanca për Shqiptarët mbështet pa rezervë protestën “Drejtësi për Almirin” dhe njëkohësisht FTON aktivistët por edhe gjithë qytetarët që të bëhen pjesë e një proteste të qetë dhe të qytetëruar duke ngritur zërin ndaj padrejtësisë së Almirit”, thuhet në njoftimin e partisë të cilën e drejton Sela.

Për protestën në fjalë thirrje ka bërë kryetarja e Komunës së Haraçinës, Milikije Halimi e cila njëkohësisht ka njoftuar se ka organizuar dy autobus për bartjen e qytetarëve nga Haraçina deri para objektit të Qeverisë së Maqedonisë.

Thirrje për ta mbështetur këtë protest kanë bërë edhe pjesëtar të partisë shqiptare në pushtet, BDI-së si dhe shumë përfaqësues të organizata jo qeveritare dhe shoqërisë civile në përgjithësi. (INA)