Përdorimi i substancave narkotike është ndër vrasësit më të mëdhenj të njerëzve. Qindra mijëra persona vdesin çdo vit nga abuzimi me drogën.

Kështu, mediat amerikane kanë publikuar një statistikë interesante që e ka vendosur në perspektivë numrin e vdekjeve nga droga gjatë vitit, për ta kuptuar më mirë madhësinë e problemit me të cilin përballen amerikanët.

Sipas statistikave, në vitin 2016 nga mbidoza e drogës kanë vdekur 64 mijë amerikanë, që është numër gati i barabartë me viktimat amerikane në luftërat e Vietnamit, Irakut e Afganistanit, marrë së bashku.

65 mijë ushtarë dhe trupa të tjera amerikane kanë vdekur nëpër këto tri konflikte. Edhe pse në përshtypje të parë duket që lufta merr më shumë jetë njerëzish se shkaqet tjera, droga në heshtje ka pasoja të njëjta për njerëzimin.

Gjithashtu, është e rëndësishme të ceket që numri i viktimave nga droga mund të jetë edhe më i lartë, pasi biznesi me drogën shkakton vdekjen e shumë personave nga mosmarrëveshjet mes bandave, që shpesh nuk llogariten si pasoja të narkotikëve, përgatiti ”Gazetametro”.