Për hir të së vërtetës, yje globale të disa fushave ishin në Maqedoni, por në vendtakime dhe ndërtim urash me ta, por edhe për një kënaqësi të rrallë, apo përvojë artistike e kulturore, disa titullarë preferojnë të fotografohen në ngjarje lokale të vogla dhe pa rëndësi dhe kështu në vend që ushtrojnë ndikimin e tyre tek njerëzit edhe në formë edukimi, ata krijojnë një proces të kundërt ku theksojnë vlera shpesh të dyshimta e i nxjerrin ato në vëmendje

Nga Nazim RASHIDI

“Kosova deklaroi Pavarësinë e saj në vitin 2008, thuajse një dekadë pas fushatës së bombardimeve të NATO-s kundër shtetit të Jugosllavisë të dominuar nga Serbia. Më herët, këtë vit Kosova festoi 10 vjetorin e Pavarësisë, por shteti i ri ka ende sfida serioze përpara në rrugën e saj të ndërtimit të plotë të shtetësisë: nuk njihet nga shumë vende, duke përfshirë Kinën, Indinë dhe pesë vende anëtare të BE-së, ka numër të lartë papunësie dhe shifra të larta të varfërisë, nuk di çfarë të bëjë me numrin e madh të minoritetit serb që nuk është i integruar, si dhe akuzat të vazhdueshme ndaj përfaqësuesve pranë Qeverisë për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar.
Marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë, që ende thotë se Kosova është territor i saj, janë të brishta. Tensionet ishin të larta pak ditë më parë, kur ishte afati që Prishtina të ofrojë një kornizë të re veprimi për zonat me shumicë serbe.
Në periudhën kur po vijnë negociatat më të vështira me Beogradin, familja Lipa shpreson se për pak kohë, të paktën, festivali do të ndryshojë agjendën e lajmeve për Kosovën”.
Këto rreshta janë pjesë e një artikulli të botuar në prestigjiozen “The Guardian” të Londrës me titull “Babi i Dua Lipës po organizon një festival për një Kosovë paqeje dhe dashurie” (në origjinal titulli “DuaLipa’s father stages music festival for ‘peace-loving’ Kosovo”).

Ndonëse artikulli ka në fokus festivalin “Sunny Hill”, që zhvillohet nga data 10 deri më 12 gusht në Prishtinë, rreshtat e mësipërm kur jepen informacione shtesë, tregojnë se çfarë impakti mund të krijohet kur ndikohet me art e kulturë.

S’ka çfarë të flitet shumë për Dua Lipën, yllin global të muzikës, por është e qartë se mund të flitet në rang botëror për një festival, ndonëse të ri, i cili do të sjellë pranë tij edhe yje të tjerë, ndër të cilët edhe DJ-in Martin Garrix.
Në këtë rast bëhen pyetjet se pse këta artistë shkojnë në një vend “problematik”? Por kështu media dhe publiku botëror bën zbulime të tjera se kush janë dhe çfarë përfaqësojnë njerëzit e këtij vendi.

Me vite ndjek mediat botërore, sidomos ato anglishtfolëset dhe po në këto vite, nuk më ka rënë të shoh kaq pozitivitet që na japin një brez i ri artistësh, si Dua Lipa, Rita Ora, Action Bronson apo me emrin e vërtetë Arijan Arsllani, Bebe Rexha, etj. Këtu bëjnë pjesë edhe sportistët, por edhe personazhet e tjerë të shkencës e kulturës që veprojnë në nivelet më të larta, por në fusha që mbase nuk arrijnë aq masa të mëdha njerëzish në rrafsh global. Më shkojnë këtu në mendje duartrokitjet me ovacion 18 minutash për sopranon Ermonela Jaho, veç pak ditë më parë.
Po të dashur, kaq i madh është impakti e fuqia e krijimtarisë, për të cilën jo gjithmonë ka mendësi të duhur për ndikimin që ka e për vëmendjen që duhet të marrë.
Jo rrallë herë kam shkruar dhe theksuar këtë moment. Po e bëj edhe kësaj here, sepse në historitë qeverisëse të Maqedonisë, nuk ka ndodhur ndonjëherë që dikasterin e Kulturës, në dy poste kyçe, Ministri dhe Sekretari Shtetëror, ose edhe i pari edhe i dyti i saj, të jenë shqiptar.
Tani Kultura kur është e nivelit të lartë, ajo tejkalon kufijtë etnik e të gjitha tjerat që ne dimë ti vëmë rreth vetes, por nga ana tjetër – të gjithë e dimë se që të arrijë nivelet e larta për të pasur ndikimin e përshkruar më sipër, do edhe mbështetje, por edhe vizion. Prandaj edhe përmend faktin se dy shqiptarë janë në krye të Ministrisë.
Nëse i shtrohemi edhe më gjerë kësaj teme, se çfarë ndikimi duhet të ketë politika te kultura, atëherë do të pajtohem me shumë teoricienë e artistë, ku përgjigja është se “s’duhet të ketë fare”, apo “ajo duhet të jetë minimale”. Por realitetet tona, e sidomos kur bëhet fjalë për fonde apo mbështetje të caktuar, e dimë shumë mirë se shumëçka kalon përmes politikës.
Në Prishtinë po bëhet një festival i ri dhe po merr vëmendje të madhe botërore, në Maqedoni ne kemi disa festivale, por ato mezi po marrin vëmendjen e titullarëve e ku më të medies ndërkombëtare. Pse kjo ka rëndësi? Me rëndësi ta dinë njerëzit, do thoshte dikush.

Pikërisht. Për hir të se vërtetës, yje globale të disa fushave ishin në Maqedoni, por në vendtakime dhe ndërtim urash me ta, por edhe për një kënaqësi të rrallë, apo përvojë artistike e kulturore, disa titullarë preferojnë të fotografohen në ngjarje lokale të vogla dhe kështu në vend që ushtrojnë ndikimin e tyre tek njerëzit edhe në formë edukimi, duke u bërë edhe si model, ata krijojnë një proces të kundërt, ku theksojnë vlera shpesh të dyshimta e i nxjerrin ato në vëmendje.

Vera zakonisht është me më pak zhvillime politike, aktivitete të tjera më të “lehta” marrin vëmendje. Momenti e do që këtë verë, vëmendja të jetë te politika dhe procesi delikat i Referendumit për emrin, por një kujdes më i rëndësishëm ndaj zhvillimit shpirtëror, apo edhe përafrimit të tij me botën, nuk do ishte keq, madje e preferuar.
Nuk dua as ti hyjë debatit se nëse njerëz të duhur janë në postet e duhura, në këtë fushë e të tjera, se do pajtohemi shpejtë, por duke pranuar realitetin, ata që janë aty – nuk mund të mos bëjnë më shumë. Kjo më është pak të thuhet se është e palejueshme.
Në nëntor për shembull, në Shkup, me një ekspozitë do të duhet të vijë Anri Sala. Për ata që se dinë, ai është më i madh se Dua Lipa në artin pamor global. Aq i madh është sa për ilustrim, Franca dhe Gjermania bashkë e angazhuan për të përfaqësuar dy vendet me një vepër në Bienalen e Artit në Venecia – një nga aktivitetet më të rëndësishme të artit pamor botëror. Për mos të përmendur vargun e çmimeve ndërkombëtare që ka marrë apo faktin që ka ekspozuar në galeritë më të njohura në botë.
Por, ironia është se ekspozimi i tij, që do të tërheqë vëmendjen globale të mediave, po has në vështirësi në Maqedoni. Kështu të paktën thoshin informacionet pak kohë më parë.
Por çfarë do të ndodhë? Si zakonisht, entuziazmit të madh të individëve që pastaj shndërrohet në sukses, do ti ngjiten titullarë e zyrtarë që as dinë e as marrin vesh se për çfarë bëhet fjalë për të përfituar vëmendjen e për ta përkthyer në kapital politik. Ndërkohë që e kanë pasur tërë kohës dhe është dashur të bëjnë të kundërtën, të punojnë e me punë ta marrin vlerësimin aq të kërkuar, e shpesh të pamerituar.
Por realiteti është ky: individë të fuqishëm me punë sizifi që marrin vlerësime e sjellin ndikime madje dhe globale, e pastaj atyre iu ngjiten përtacët politikë që duan ca thërrime mirënjohjeje nga këta individë për ti përdorë për përfitime të vogla, kryesisht politike banale. Në këtë ekuacion, asnjëherë s’ka vizion e politika qëllimmira e afatgjata.
Por realiteti edhe më i hidhur është se, ka titullarë e zyrtarë as që marrin vesh, e as dinë asgjë, e as nuk njohin këta individët me punë sizifiane kështu që s’ke ç’të thuash më shumë.
Shpresa mbetet tek njerëzit që të mësojnë vetë për kulturën e artin e për ndikimet që ajo mund të sjellë.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)