Mungesa e certifikatave të sigurisë, heshtja e Prokurorisë Themelore Publike për incizimet nga kabineti i Gruevskit të publikuara në youtube dhe mbajtja e dëshmitarit sa më larg prej gjykatës në kampanjën zgjedhore, krijojnë dyshime për lojëra të shumta rreth lëndës “Puc”, transmeton TetovaSot.

Po bëhen të gjitha tentimet që seanca për lëndën “Puc” të mos mbahet deri në zgjedhjet me 11 dhjetor, gjegjësisht me çdo çmim të iket nga mundësia që dëshmitari Nikolla Gruevski të paraqitet në gjykatë gjatë kohës së kampanjës zgjedhore, vërtetuan për Dojce Velle burime të mirënjohura me rastin. Seanca e fundit për “Puc” është caktuar për me 1 nëntor, por për shkak të asaj që dy gjykatëse-porotë nuk kanë pasur certifikata të sigurisë, dhe gjykatësja Lubinka Basheska e ka anuluar seancën në kohë të pacaktuar, ajo që për ekspertët juridik është vlerësuar si precedent.

“Mungesa e certifikatave të sigurisë është alibi me të cilën seancat mund të anulohen deri në pafundësi. Sot do të mungoje certifikati nga gjykatësi porotë, nesër nga ndonjëri prej procesverbaleve, dhe kështu me radhë”, thuan burime gjyqësore duke potencuar se kjo çështje duhet mbyllur që të krijohen kushtet për vazhdimin e procesit.