Debati i brendshëm politik që është duke u zhvilluar ditëve të fundit në prag të kongresit të Aleancës për Shqiptarët, në lidhje me zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë, duket se nuk është edhe aq i thjeshtë. Për më tepër, paraqitet një situatë e komplikuar dhe shumë vështirë të parashihet se si do të jetë epilogu i këtij ngërçi që ka kapluar partinë më të madhe opozitare shqiptare, këtu në Maqedoninë e Veriut.
Nga njëra anë, janë të shumtë bashkëthemeluesit, aktivistët më të devotshëm të partisë që kërkojnë të rrespektohen rregullat, statuti i partisë, kërkojnë të zbatohen reforma urgjente për të qenë sa më të përgatitur për sfidat e radhës, sepse ata nuk mund të presin edhe më tej, që pasionet personale të individëve, që e shohin partinë si pronë të vetën të vazhdojnë më avazin e vjetër dhe me humbjet serike në shumë cikle zgjedhore.
Tentimi i Ziadin Selës, për të kontrabanduar në mënyrë klandestine edhe një mandat, të tretin me rradhe, në krye të ASH-së, ka irrituar tejmase strukturat drejtuese dhe shumicën dërmuese të anëtarëve të partisë. Andaj, me të drejtë ata konsiderojnë, që Sela në vend që të bëjë kalkulime për të qëndruar në krye të partisë, ai duhet të hap rrugën “burrnisht”, pas sa e sa humbjeve, përfshirë edhe në vendlindjen e tij, një figure të re politike, një figurë të dëshmuar me fitore që do të kishte kapacitete të ndërtonte një opozitë fituese.
Ziadin Sela nuk mjafton të zgjoj euforinë e ca militantëve romantik-patriotik- (fanatikë), që e kanë mbyllur partinë, por kërkohet që partia të hapet jashtë partisë drejt shtresave të gjera rinisë, intelektualëve.
A mund të mendojmë dot se Ziadin Sela , aq më tepër në kushtet ku ndodhet sot, me gjuhën linçuese, ndaj zërave kritik të arrijë ose të sigurojë fitore.
Duket që edhe ai vetë e di, se me atë në krye, jo që nuk ka asnjë shans për të fituar, por rrezikon edhe shuarjen e partisë.
Gjuha që ai po përdor, i përgjigjet një situate me shumë të panjohura dhe assesi nuk projekton një opozitë fituese.
Kjo gjuhë e mbushur me sulme personale, e akuza agresive pa limit, e pasuruar me fjalor teorish konspirative, të fiksuara pas psikozës së një komploti nga jashtë, kundër tij, tregon se ai e ka humbur rrugën në obor, bashkë me të edhe arsyen për të udhëhequr Aleancën për Shqiptarët edhe për një mandat.
Në fund, suksesi i opozitës do të varet, nga sa ajo do të jetë e aftë të prodhojë frymë, ekip, e narrativë të ri, si dhe sa do të jetë e aftë të ofrojë një platformë qeverisëse, për t’u perceptuar si një alternativë që ia vlen të votohet.
Opozita e ka tashmë një shans dhe është në dorën e Ziadin Selës, nëse do të dijë ta shfrytëzojë, për të dalë faqebardhë. /fol