Nuk janë aspak të rralla rastet kur shumë reforma në arsim figurojnë si të tilla vetëm në dokumente, sepse në praktikë nuk kanë arritur të ndryshojë asgjë thelbësore, shkruan gazeta KOHA.

 

I tillë është edhe rasti me ditarët elektronik, të njohur si e-ditarët, të cilët synim parësor kanë përmirësimin e komunikimit të shkollës me prindërit në funksion të ngritjes së cilësisë së arsimit. Ideja është që duke i informuar prindërit për gjithçka rreth fëmijëve të tyre në shkollë, pra duke iu mundësuar atyre të kenë qasje të drejtpërdrejtë në gjithçka që evidentojnë mësimdhënësit e fëmijët e tyre, të ndikohet në përmirësimin e notave, rregullshmërisë në mësime dhe në përgjithësi në sjelljen e nxënësve në shkollë.

Mirëpo, e-ditarët jo çdo herë dhe jo në çdo shkollë funksionojnë si duhet. Në pjesën dërmuese të rasteve, ata janë kthyer në një ngarkesë për arsimtarët, të cilët edhe nëse kujdesen të jenë në rregull në këtë pjesë, e bëjnë për të shmangur dënimet dhe jo si pjesë normale e procesit. Prej para dy viteve, përdorimi i e-ditarëve është bërë i obligueshëm me ligj, njëjtë sikurse ditarët manual. Mirëpo, problemi më i madh është se për përdorimin e e-ditarëve nuk ka kushte teknike, para së gjithash. Prindërit gjithnjë e më pak marrin sms me të dhëna nga shkolla për notat e fëmijëve, mungesave dhe shënimeve tjera pedagogjike. Është pranuar vazhdimisht nga ana e Ministrisë të Arsimit dhe Shkencës (MASH) se jo të gjitha shkollat kanë kapacitet të punojnë me pajisje elektronike, pra me kompjuterë, e-ditarë apo tabela elektronike.

Në një pjesën të madhe të shkollave mungojnë pajisjet, në tjetër mungon interneti apo kapaciteti i rrymës, ndërsa ka shumë arsimtar që nuk dinë të punojnë me ato pajisje. Të gjitha këto arsye, kanë bërë që modernizimi i arsimit në Maqedoni, respektivisht mësimi me kompjuter dhe mjete elektronike të jetë realisht vetëm synim. Ndodh shpesh herë që mësimdhënësit të mos e hapin nga një javë e-ditarin, ose sepse në shkollë nuk punon rrjeti, ose sepse nuk u kanë mjaftuar 40 minuta kohë, sa zgjat një orë mësimi në shkollat fillore. Pra, brenda një ore mësimi, duhet të plotësojë nga dy ditarë, një elektronik dhe një tjetër manual, ndërsa qëllimi kryesor për ët cilin është në shkollë është t’i mësojë nxënësit, numri i të cilëve mund të shkojë edhe 37 nxënës në klasë.

Në shkollat si “Ismail Qemali” apo “26 Korriku” në Shkup, por edhe në të tilla si “Liria” në Tetovë apo “Bajram Shabani” në Kumanovë mësimdhënësve nuk i bie të kenë mesatarisht as nga një minutë kohë në dispozicion. Sikur të mos u mjaftojnë paralelet e ngarkuara me numër të madh nxënësish, tani kanë edhe ngarkesat administrative të cilat në vend që ta lehtësojnë procesin e arsimit e kanë tromaksur më keq atë.

 

Nga ana tjetër, Ligji i detyron shkollat të përdorin e-ditarët e, meqë kontrollet e shkollave bëhen zakonisht në fillim të vitit shkollor, atëherë edhe mësimdhënësit janë të detyruar të “shtrëngojnë dhëmbët” dhe të behën “super heronj”. Por, kjo vetëm derisa janë në mbikëqyrje të inspektorëve. Pas përfundimit të vizitave, e-ditarë përdoren sipas rastit. /Telegrafi/